Në qytetin bregdetar të Sarandës prej dy netësh po zhvillohet  “Saranda Fish Festival”, aktivitet që kremton jo vetëm traditën e bukur të peshkimit, por edhe kulturën, historinë e nautikës dhe mikpritjen shqiptare.

Nga 28 maji deri në 1 qershor në “Saranda Fish Festival” pjesë e axhendës janë aktivitete të larmishme dhe koncerte.

Në ceremoninë e hapjes së këtij festivali në shëtitoren e qytetit ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi, i cili ftoi qytetarët nga i gjithë vendi, por edhe turistët e huaj t’i bashkohen këtij aktiviteti, duke e cilësuar “një udhëtim të mrekullueshëm të traditës, artit dhe kulturës në Sarandë”.

“Shpresoj që ky vit turistik të jetë edhe më i mirë se vitin e kaluar”, tha Çaçi.

Çdo mbrëmje, vizitorët kanë mundësinë të shijojnë një atmosferë të gjallëruar me aktivitete të ndryshme, që nga muzika live e artistëve të njohur, deri tek shfaqjet artistike. Festivali do të jetë një vend ideal për të kaluar kohë cilësore me familjen dhe miqtë.

Në koncerte pritet të performojnë këngëtarë të njohur të skenës shqiptare si Elhaida Dani, Aleksandër Gjoka, Redon Makashi e Elton Deda dhe grupi polifonik i Sarandës.

Vizitorët kanë treguar interes edhe për muzeun kushtuar nautikës në Sarandë, ku zbulohet historia e saj përmes imazheve, dokumenteve dhe objekteve, të cilat janë dëshmi të gjalla të qytetit plot traditë dhe histori.

Gjatë festivalit i është kushtuar një hapësirë edhe fëmijëve, një botë si në përralla që i nxit të shpalosin imagjinatën e tyre, ta duan njëri-tjetrin, detin dhe natyrën me aktivitete me animatorë, piktura, shfaqje filmash, krijim balonash, lojëra, muzikë dhe argëtim.

Një pjesë e rëndësishme e festivalit është sigurisht ushqimi. Vizitorët kanë mundësinë të shijojnë gatime tradicionale të zonës, veçanërisht pjatat me bazë peshku. Kuzhinierë të talentuar përgatisin receta të mrekullueshme, që reflektojnë pasurinë gastronomike të Sarandës.

Nën qiellin e hapur, çdo natë shfaqen filma që tregojnë historinë dhe kulturën e rajonit, duke ofruar një mundësi unike për të mësuar më shumë rreth Sarandës dhe traditave të saj.

 

Saranda Fish Festival është një mundësi e shkëlqyer për të përjetuar thellësinë e kulturës dhe traditës së peshkimit të Sarandës.
 
Me një program të pasur dhe të larmishëm aktivitetesh, festivali synon të jetë një ngjarje e paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit./ata