Komisioni hetimor për shërbimet publike të sterilizimit dhe të check-up në shëndetësi vijoi sot seancën dëgjimore me dëshmitarin Prof. Dr. Artan Goda dhe Prof. Dr. Agron Ylli.

I pyetur nga deputetët për check-up në shëndetësi Prof.Dr. Artan Goda tha se “me urdhër të ministrit kam qenë anëtar i grupit të punës së përbërë prej 5 shefave kryesorë të shërbimeve që kanë lidhje me përcaktimin e faktorëve të rrezikut në funksion të gjetjes së atyre faktorëve më të rëndësishëm që duhen kontrolluar në popullatë për të bërë atë që quhet check up i faktorëve të riskut, që paraprin më pas në sëmundje të ndryshme kardiovaskulare, të cilat përbëjnë arsyen e mbi 50% të vdekjeve të njerëzve në të gjithë botën dhe në vendin tonë janë të njëjtat shifra dhe afro 45% të sëmundshmërisë në përgjithësi dhe që kanë të bëjnë me sistemin kardio dhe vaskular”, theksoi Prof.Dr.Goda.

Sipas tij, qëllimi i check up nuk konsiston vetëm të ulet mortaliteti, por të kapësh në kohë sëmundjet dhe të kursesh jetë apo invaliditete dhe të kursesh para.

“Në mortalitet apo sëmundshmëri nuk ndërhyn vetëm ky faktor, pasi është zgjatur jeta e njerëzve që vdisnin me parë nga infarkti sepse kemi urgjencën 24 orëshe që i shërben të sëmurit në 24 orë të ditës në 7 ditë të javës dhe në 365 ditë të vitit. Nga 15% që ka qenë mortaliteti i njerëzve me infarkt që mbërrijnë në spital është ulur në 4.5%”, tha Prof.Dr. Goda.

Pyetjes nëse ka na nevojë të rishikohen fashat për check up, Prof.Dr. Goda tha se “fasha nuk është e ngushtë nëse do zgjerohet duhet të zgjerohet poshtë, pasi parandalimi mund të ulë faktorët e rrezikut që janë edhe të lindur. Nëse ne arrijmë ta zbulojmë atë që në fëmijëri do ta kurojmë dhe kursejmë jetë të humbura”.

“Ajo që do të sugjeroja do të ishte jo zgjatja shumë e fashës, por shtimi i elementeve që duhet të testojmë për të kapur sa më shumë sëmundje”, tha  Prof.Dr. Goda duke shtuar se sa më e ulët të jetë fasha aq më mirë është.

Ndërsa  Prof.Dr. Agron Ylli, shef i shërbimit të Endokrinologjisë në QSUT tha se “jemi thirrur nga Ministria e Shëndetësisë për të hartuar protokollin e një vlerësimi të diabetit në popullatën shqiptare. Ishte një vendimmarrje që ne si profesionistë e vlerësuam shumë për pjesën e diabetit, duke pasur parasysh që diabeti përpara 20 vitesh në një studim që kemi bërë doli 6.2% e popullatës dhe nga kjo doli që 5.3% e popullatës u diagnostikua me diabet nga projektet që bëmë”.

“Në këtë logjikë, kërkesa për të bërë një vlerësim të popullatës për diabetin ishte diçka që na përshtatej si profesionistë dhe e mbështetëm duke bërë kriteret për hartimin e një protokolli dhe kriteret për të lexuar këto të dhëna. Me këtë rast jemi thirrur në Ministrinë e Shëndetësisë ku kemi marrë pjesë në një aktivitet ku dhamë kriteret tona për diagnostikimin e popullatës në grupmoshën 45-65 vjeç./ata