Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u mblodh sot ne nje seancë dëgjimore me zv/Ministren e Arsimit dhe Sportit, Ana Kapaj për diskutimin e projektligjit “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucione publike të arsimit të lartë”.

Propozimi i trajtuar në komision ishte i një grupi deputetësh të Komisionit të Legjislacionit, për shkak se janë reflektuar ndryshimet e propozuara nga Gjykata Kushtetuese. Bëhet fjalë për dy komponentë të ndryshuar, që lidhen me numrin e viteve që studentët duhet të rrinë pas diplomimit dhe garantimi i punësimit të tyre dhe shpërblimi nëse nuk u garantohet punësim.

Ndryshimet përfshijnë nenin 4 dhe nenin 6, që kanë të bëjnë me ndryshimin e afateve që do t’i detyrojnë studentët në punësimin e tyre. Afatet paraprake kanë qenë 5, 3 dhe 2 vite ndërkohë që ky propozim sipas zëvendësministres së Arsimit dhe Sportit, Ana Kapaj, i ka korrektuar duke vendosur afatin 3-vjeçar, si i angazhuar në punë, për studentët që do të mbarojnë Faktultetin e Mjekësisë dhe sigurisht kanë licencën për të ushtruar profesionin: 3 vite për ata që janë  në vitin e parë këtë vit dhe pastaj kalon në dy vite dhe 1 vit angazhim për ata studentë që tashmë janë në vit të 5-të dhe të 6-të.

Ndërkohë ndryshimi tjetër i propozuar për këtë projektligj ka të bëjë me nenin 6 i cili është parë si vakum ligjor nga Gjykata Kushtetuese. Në këtë projektligj propozohet punësimi direkt i mjekëve të licencuar, brenda 3 muajve të parë. Nëse kjo nuk do të ndodhë brenda 3 muajve të parë, këta mjekë do të paguhen me 80% të pagës të mjekut të përgjithshëm, ose mund të zgjedhin të punësohen në institucione private shëndetësore, por gjithmonë duke ruajtur të drejtën e punësimit prioritar. Kjo, deri sa të plotësohet afati 1-vjeçar dhe ata të lirohen nga përgjegjësia që kanë.

Ndryshimi i fundit në ligj ka të bëjë me një saktësim, duke shtuar termat “trajtimi i studentëve shtetas shqiptarë”.

Deputetja Gjylameti, në krahun tjetër, vuri theksin tek fakti se ndryshimi që po i bëhet projektligjit sot, duhet të jetë më i gjerë se adresimi i 2-3 pikave, duke mbajtur në vëmendje se kërkesat e ankesat që kanë mjekët e infermierët sot, do të jenë edhe kërkesat e studentëve në një të ardhme.

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Kapaj, tha gjithashtu se situata në këtë sektor ka pasur një përmirësim, duke qenë se aktualisht kemi 1,93 mjekë për 1 mijë banorë, ndërkohë që në 2013, sipas statistikave kishim 1,2 mjekë/1000 banorë. Por mbetet ende shumë për të bërë në mënyrë që të arrijmë vendet e rajonit ku shifra arrin në 2,6./ata