Kosovën e kanë vizituar më pak shtetas të huaj në korrik 2024 sesa një vit më parë. Në total gjatë korrikut ishin 38 126 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh është nga Shqipëria, Gjermania dhe Turqia.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar statistikat e hotelerisë për muajin korrik 2024. Nga këto të dhëna është treguar se në Kosovë gjatë korrikut ka pasur më pak vizitorë të huaj sesa në kohën e njëjtë të vitit të kaluar. Dallimi mes korrikut të këtij viti dhe korrikut të vitit të kaluar është për 18 për qind më pak vizitorë të huaj.
“Sa u përket vizitorëve të huaj krahasuar me periudhën paraprake (Korrik 2023) ka ulje të vizitorëve për 18.1%”.
ASK ka treguar se edhe ata qytetarë që vijnë në Kosovë, nuk janë nga shtete shumë të largëta, pasi që numri më i madh është nga Shqipëria dhe Gjermania.
“Në total 38 126 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh është nga Shqipëria, Gjermania, Turqia, Zvicra”.
Shifrat tregojnë se nëpër hotelet e Kosovës gjatë korrikut të këtij viti kanë qëndruar 57 mijë qytetarë, deri sa vitin e kaluar në kohën e njëjtë ishin mbi 71 mijë.
“Në Korrik 2024, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) në hotele ishte 57 447, prej tyre 33.6%, ishin vendorë dhe 66.3% ishin të jashtëm. Krahasuar me muajin Korrik të vitit 2023 (sa ishin 71 341 vizitorë) kishte ulje të numrit të përgjithshëm të vizitorëve në hotele për 19.5%”.
Kurse, sipas ASK-së, numri i net-qëndrimeve ishte 133 663, prej tyre 35.2% nga vendorët dhe 64.7% nga të huajt.
“Numrin më të madh të vizitorëve te brendshëm në hotele e ka regjioni i Pejës me 8 864 vizitorë dhe më 26 477 net-qëndrimi”./Dosja