Shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar një mjet lundrues velierë që lëvizte në mënyrë të pakontrolluar në bregdetin e fshatit Karpen, Kavajë. Pas bllokimit të mjetit, i cili kishte ngecur disa metra larg bregut, policia nisi një kontroll të detajuar në bordin e tij.

Gjatë kontrollit, Policia Kufitare e Spillesë sekuestroi një armë zjarri tip pistoletë “Walther”, municion luftarak, dy celularë, një laptop dhe dokumentet e mjetit lundrues. Gjithashtu, u gjet një pasaportë gjermane me gjeneralitetet e një shtetasi 85-vjeçar, F. R.

Nga verifikimet e para, të kryera në bashkëpunim me Guardia di Finanza-n, rezulton se veliera ishte nisur nga Bari, Itali, me destinacion Kroacinë. Lundrimi filloi normalisht, por më vonë u vunë re lëvizje të çrregullta. Autoritetet po bashkëpunojnë me Interpol Tiranën për të verifikuar pasaportën dhe për të përcaktuar vendndodhjen e poseduesit, i cili dyshohet të jetë drejtuesi i mjetit.

Hetimet paraprake sugjerojnë se drejtuesi mund të ketë rënë në det për shkak të motit të keq dhe dallgëve të larta. Materialet e çështjes janë dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme./ata