Komisioni i Ligjeve zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Besnik Dervishin, aktualisht Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i propozuar nga Këshilli i Ministrave për një tjetër mandat.

Në seancën dëgjimore në komision, Dervishi solli në vëmendje reformat dhe arritjet që janë ndërmarrë nga Zyra e Komisionerit gjatë këtij mandati.

“Zyra është konsoliduar në të dyja drejtimet, si në të drejtën për informim edhe në atë të mbrojtjes së të dhënave personale. Ju jeni dëshmitar për reformën që është bërë përmes miratimit të ligjit ‘Për të drejtën për informim’, por edhe të amendimeve që u bënë vitin e kaluar që e përmirësuan akoma dhe më tej ligjin, duke plotësuar standardet më të larta ndërkombëtare”, tha Dervishi.

Dervishi siguroi se “kemi një kuadër të plotë ligjor dhe jemi lider për sa i përket legjislacionit”.

Dervishi theksoi se “edhe për sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale është përballuar një fluks mjaft i madh pune”.

“Do të doja të përmendja dhe përballimin me profesionalizëm të rrjedhjes masive të të dhënave, veprimtari që është vlerësuar edhe nga organizmat monituruese të BE-së. Në vlerësim të këtyre standardeve Zyra e Komisionerit është pranuar anëtare e Bordit Europian të Mbrojtjes së të Dhënave të BE-së. Pra ulet në të njëjtën tryezë me komisionerë nga viti 2016 i mbrojtjes së të dhënave të vendeve të BE-së. Gjithashtu është zgjedhur edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Asamblesë Kombëtare të Privatësisë në vitet 2018- 2022″, shtoi Dervishi.

Dervishi theksoi se prioritet kryesor mbetet miratimi i ligjit të ri të mbrojtjes së të dhënave personale, transfuzimi i plotë i rregullores së përgjithshme të mbrojtjes së të dhënave personale të BE-së, e cila është parashikuar të miratohet brenda vitit 2024.

Komisioneri Dervishi theksoi po ashtu se në drejtim të ushtrimit të detyrave të tij, Zyra ka trajtuar më shumë se 10 mijë ankesa dhe vendimmarrje në vlerësim të publikut, operatorëve të fushave përkatëse, shoqërisë civile, ekspertëve dhe botës akademike, çka ka ndikuar dhe zhvilluar ndjeshëm jurisprudencën për të drejtën për informim dhe mbrojtjen e të dhënave personale”.

Në përfundim, Dervishi garantoi për standardet më të larta dhe vijimin e reformave integruese në dy fushat kryesore të veprimtarisë së institucionit.

Deputetja e opozitës në komision, Dhurata Çupi kundërshtoi kandidatin, duke theksuar se sipas tyre ka konflikt interesi./ata