Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot në Kongresin e PS-së, se “ky ushtrim i sotëm politik është momenti i ripërtëritjes së një force që duke mbetur e njëjta në thelb rishpik vetveten kur koha dhe sfidat e kohës kërkojnë rilindjen e saj”.

Sipas saj, “ky kongres është një mundësi e artë për të gjykuar veten”.

“Ky Kongres është një çast reflektimi për të parë se ku kemi qenë, për të vlerësuar se çfarë kemi bërë dhe për të vendosur se çfarë do të bëjmë edhe më mirë nesër. Të bekuar nga besimi i publiku dhe të detyruar prej tij të vazhdojmë të jemi ende e vetmja alternativë që duhet të bëjmë edhe më shumë se sa dimë deri tani”, shtoi ajo.

Spiropali nënvizoi se “vendimet që do marrin ndikojnë e reflektojnë në jetën e gjithë vendit”.

Kjo, sipas saj, “dëshmon jo vetëm rëndësinë e PS-së si forcë e vetme qeverisëse, por edhe peshën e përgjegjësisë që PS ka dhe aftësinë e saj te ripërtëritjes”.

“Shumë horoskopë kanë hamendësuar se çfarë do të ndodhë sot, kush ikën e kush vjen. Ka shumë dilema nëse do notojmë në të njëjtat ujëra, apo do ndryshojmë do mbetemi robër të kënaqësisë apo do ofrojmë zgjidhje të reja drejt stacionit të afërt të zgjedhjeve të përgjithshme. Unë besoj se është edhe më shumë se kaq, ky ushtrim i sotëm politik është momenti i ripërtëritjes së një force që duke mbetur e njëjta në thelb  rishpik vetveten kur koha dhe sfidat e kohës kërkojnë rilindjen e saj”, theksoi ajo.

Ministrja theksoi se “duke qenë 3 mandate rresht, PS ka qenë opozita më serioze dhe më e ashpër e vetvetes në një proces ripërtëritje dhe përshtatje me sfidat më të komplikuara të kohës”.

“Ne kemi krijuar pakënaqësi ndaj vetes si një normë politike, sepse gara jonë nuk është me ata që kemi përballë qe janë për faqe të zezë, por me pritshmëritë e publikut. PS duhet të ribëjë veten. Kundërshtarët janë të paaftë të qeverisin veten në opozitë, jo më vendin. Për këtë shkak dhe këtë kalendar domethënës suksesesh që ka prodhuar qeverisja jonë duket se kemi çdo arsye të jemi me kokën lart për çfarë kemi bërë”, theksoi ajo./ata