Shkolla “Rushan Qevani” dhe kopshti i ri në Selvias të Cërrikut kanë hapur dyert me kushte bashkëkohore për 160 fëmijë të zonës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ambientet e reja të kësaj shkolle, një investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

“Me shkollën e rilindur “Rushan Qevani” dhe kopshtin e ri në Selvias të Cërrikut, një kompleks i mirëfilltë edukimi me standarde europiane, që sapo ka hapur dyert për fëmijët, nxënësit dhe mësuesit e kësaj zone”, tha Rama.

Pas investimit, ky objekt arsimor është shndërruar në një kampus të mirëfilltë edukimi, me mjedise të reja, terrene sportive, palestër dhe bibliotekë të re.

Bashkë me kopshtin që plotëson të gjitha nivelet e edukimit, ky kompleks i ri arsimor ka pritur mbi 160 fëmijë, nxënës dhe mësues të kësaj zone.

Gjatë këtij viti përfundojnë rreth 100 shkolla dhe terrene të reja sportive, investime të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, pushtetit vendor dhe partnerëve ndërkombëtarë./ata