Gjimnazi “Isa Boletini” në Vorë, ka pësuar një ndryshim rrënjësor falë investimit të qeverisë shqiptare.
Kryeministri Edi Rama ndau pamje kjo shkollë e re që do të hapë dyert në fillimin e vitit të ri shkollor me standardet më të mira për 350 nxënës dhe mësuesit, me 23 klasa të reja, 4 laboratorë të shkencave dhe teknologjisë, terrene sportive dhe palestër moderne.
Kjo shkollë e rilindur është pjesë e një investimi të gjerë në infrastrukturën arsimore të bashkisë Vorë, ku janë rindërtuar gjithsej 6 shkolla dhe 3 kopshte, duke përfshirë financimet nga buxheti i shtetit dhe programin EU4School. Përfitues të këtyre investimeve janë 1,700 nxënës dhe 127 mësues.
Falë Programit të Rindërtimit dhe mbështetjes financiare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në Vorë janë dy shkolla që janë gati të hapin dyert në prag të vitit të ri shkollor, shkolla e Picarit dhe gjimnazi “Isa Boletini”.
Përveç tyre, në të gjithë vendin janë 25 objekte arsimore që kanë përfunduar dhe janë të gatshme për vitin e ri shkollor 2024-2025, ndërsa puna vazhdon në objekte të tjera, të cilat pritet të përfundojnë brenda këtij viti shkollor.”
Përveç infrastrukturës shkollore, është siguruar dhe shpërndarja e librave falas për nxënësit e kësaj shkolle. Në gjithë Shqipërinë janë rreth 238 mijë nxënës që do të përfitojnë librat falas, përfshirë nxënësit e klasave I-IX dhe 12,500 nxënës të gjimnazeve të cilët janë pjesë e kategorive sociale me mbështetje ekonomike, pa mbështetje prindërore, fëmijë me aftësi të veçanta dhe ata nga komuniteti rom dhe egjiptian./ata