Më 17 shtator 1825 u lind në Shkodër shkrimtari, poeti dhe publicisti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Vaso Pasha. Njihet gjithashtu si Pashko Vasa e Vasa Pashë Shkodrani.

Të parët e tij, nga i ati, ishin shpërngulur prej Mirdite dhe ishin zhvendosur në qytet, në atë shtëpi ku sot është shtëpia-muze e Pashko Vasës. Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsullatës britanike nga 1842 deri më 1847, ku pati mundësinë të përmirësojë dijet e tij në gjuhët e huaja: italisht, frëngjisht, turqisht dhe greqisht.

Më 1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për liri dhe ai mori pjesë gjallerisht në radhët e forcave kryengritëse italiane. Në Bolonjë u caktua si oficer i Kalorësisë Qytetare.

Në vitet 1878-1882, Pasha u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879-n, u rreshtua mes veprimtarëve më aktivë të “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”.

Vaso Pasha është autor i shumë veprave politike e historike, përmes të cilave gjeti shtegun për të mbrojtur të drejtën e shqiptarëve për të jetuar të lirë dhe të pavarur.

Që nga viti 1883 e derisa vdiq, Pashko Vasa shërbeu si guvernator i përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq. Rilindasi i shquar u nda nga jeta më 29 qershor 1892 në Bejrut. Eshtrat tij u sollën në Atdhe në kohën e regjimit komunist të Shqipërisë./ata