Tirana dhe Elbasani, barazuan 1-1 mes tyre, në supersfidën e javës së pestë në Superligën shqiptare. Ishte një ndeshje spektakolare dhe e luftuar deri në fund, me verdheblutë që i shkuan shumë afër fitores, por shpërdoruan një penallti në fund.

Kola zhbllokoi sfidën në minutën e 23-të, duke i dhënë avantazhin Tiranës, por vetëm dy minuta më vonë, Ze Gomes, barazoi shifrat, me një lëvizje të bukur në zonë.
Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa nuk ndryshoi as në të dytën. Portieri Selmani, shmangi humbjen e Tiranës në fund, duke pritur një penallti të Emiljano Mustës.

Ky është barazimi i pestë radhazi për Tiranën, që mban vendin e shtatë me 5 pikë, ndërsa Elbasani renditet i treti me 8 pikë.

Dinamo City triumfoi me rezultatin 2-1 ndaj Skënderbeut, në sfidën e vlefshme për javën e pestë në Superligë.

Sukses i rëndësishëm për kryeqytetasit, me trajnerin Ilir Daja që merr kështu fitoren e parë, pas barazimit në debutimin e pak ditëve më parë.

Vendasit ishin më kërkues nga fillimi dhe zhbllokuan sfidën në minutën e 6-të me Zabërgjën. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa në minutën e 54-t, korçarët barazuan shifrat me Rashicës, që shënoi nga penalltia.
Një neglizhencë e mbrojtjes së Skënderbeut në minutën e 90-të, u shfrytëzua nga Itodo Mandela, që shënoi golin e dytë dhe të fitores për Dinamon.

Me këtë triumf, blutë marrin vendin e pestë me 7 pikë, ndërsa Skënderbeu merr humbjen e dytë radhazi dhe renditet në vendin e parafundit me 4 pikë./Tema