Futbollisti i Kombëtares Shqiptare, Mirlind Daku ka bërë një postim në rrjetet sociale ku shpreh ndjesën e tij për ngjarjen pas ndeshjes me Kroacinë në EURO 2024.

“Së pari dua të jem falenderues ndaj të gjithë atyre që na kanë përkrahur në momentet e mira dhe të vështira në Euro 2024. Si çdo futbollist, në ato momente emocionet janë në një nivel tjetër, ku vetëm brenda fushës mund të kuptohen, është e vështirë të përshkruash ndjenjën e të luajturit për këtë Kombëtare, për këta tifozë të mrekullueshëm që na japin dashni pa kufi, ashtu siç është dhe moto jonë, ‘Shqipëri dashni pa kufi’”, shkruan Daku.

“Ndjesë nëse kam fyer dikë pas ndeshjes me Kroacinë, afekti i lojës e bën të vetën, unë vazhdoj të punoj së bashku me gjithë grupin rreth ëndrrave tona. Falja është burrërore, dhe e ndjej obligim moral dhe profesional ta bëj një gjë të tillë, për gjithë ata që janë lënduar””, mbyllet postimi.

Kjo deklaratë e Dakut vjen pas një ngjarjes që ndodhi pas përfundimit të ndeshjes së fundit të Shqipërisë në fazën e grupeve të EURO2024 kundër Kroacisë, ku emocioni i lartë dhe tensionet e lojës çuan në një moment të pakëndshëm. Daku mori megafonin dhe iu bashkua thirrjeve të tifozëve në shkallët e stadiumit. Thirrje të cilat kanë sjell dhe reagimin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut./ata