Kryeministri Edi Rama informoi sot se eksportet në Shqipëri në vitin 2022 kanë arritur shifrën rekord 4.1 miliard euro.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Përfaqësuesin e Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas, Rama solli në vëmendje disa shifra domethënëse të rritjes së eksporteve.
“Kjo Shqipëria që nuk ka punë, ku të gjithë ikin dhe ka vetëm pleq ka eksportuar 4.1 miliard euro në vitin 2022, ose 57% në shumë se në vitin 2019 falë punës dhe njerëzve të punës dhe falë konkretizimit të gjithë përpjekjeve që ne kemi bërë në mbështetje të sipërmarrjes dhe për të hapur rrugë të reja për njerëzit që prodhojnë dhe që eksportojnë”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se vetëm eksportet bujqësore janë rritur me 59% krahasuar me vitin 2019 dhe kanë prekur shifrën rekord të gjysmë miliardi dollarë.
Ndërsa eksportet e tekstileve dhe të këpucëve, sipas tij, kanë arritur po ashtu një shifër rekord prej 1.15 miliard euro.