Rrjeti Instagram njoftonte sot ndryshim të funksioneve për llogaritë e adoleshentëve e te miturve, duke premtuar më shumë “mbrojtje të brendshme” për të rinjtë dhe shtim të kontrollit për prindërit.
Opsioni i ri “Teen Accounts” (Llogari të adoleshentëve) nis nga nesër në vendet e mëdha perëndimore pas rritjes së presionit për të bërë platformën më të mbrojtur nga përmbajtjet e dëmshme, të dhunshme apo seksuale, për të rinjtë e fëmijët.
Rregullatorët britanikë e quajtën lëvizjen “një hap në drejtimin e duhur” edhe pse kompania që zotëron Instagram, Meta theksonte se “kryesore është që prindërit e fëmijët të punojnë për të ruajtur veten e tyre nga përmbajtjet abuzive”.
Drejtuesja e rregullatorit britanik Rani Govender, tha se Meta dhe gjigantë të tjerë të internetit duhet të bëjnë më shumë nga ana e tyre.
“Kjo duhet të shoqërohet me masa të tera mbrojtjeje kundër abuzimit seksual që gjendet kudo në Instagram, me mënyra që fëmijët të përfitojnë vërtet nga mbrojtja e ofruar në rrjet”, tha ajo.
Meta përshkruante ndryshimet si “eksperiencë e re për adoleshentët, e udhëhequr nga prindërit”, duke shtuar se “shton mbështetjen e prindërve dhe qetësinë e tyre, pasi fëmijët kanë mbrojtjet përkatëse të aktivizuara”.
Regullatorët gjithashtu kanë ngritur shqetësimin e neglizhencës së prindërve për të përdorur të gjitha opsionet e mbrojtjes së llogarive të fëmijëve të tyre.
Javës që shkoi zyrtari i Meta, Sir Nick Clegg tha: “Një nga gjërat që kemi zbuluar është se … edhe kur ne i krijojnë këto mjete kontrolli, prindërit neglizhojnë t’i përdorin.”
Ian Russell, bija e të cilit Molly hasi përmbajtje të rënda e traumatizuerse në rrjetin Instagram para se të vriste veten në moshën 14 vjecare, tha për rrjetin BBC se është e rëndësishme të kontrollohet zbatimi i politikave të reja nga të gjitha palët e përfshira.
“Nëse funksionon apo jo, do ta shikojmë kur ato të vendosen në zbatim. Meta di shumë mirë si të reklamojë punën e vet me njoftime të mëdha në media, por ato duhet të jenë gjithashtu transparentë për mënyrat sesi do të funksionojnë ato”, tha babai i të ndjerës.
Dhe në fakt rrjeti njofton se ndryshimet në Instagram përfshijnë përdoruesit e moshave 13 e 15 vjeç, me kontrolle të shtuara mbi përmbajtjet sensitive dhe rekomandime për materiale të dëmshme, ose ndalimin e njoftimeve me sinjal gjatë natës.
Llogaritë sot të kenë parametrin ‘private’ dhe jo ‘publik’ në mënyrë që adoleshentët të pranojnë ndjekës të rinj por përmbajtjet e tyre të mos shihen nëse ata nuk bëhen ‘ndjekës’ të një përdoruesi tjetër.
Ndërsa prindërit që zgjedhin të kontrollojnë llogarinë e fëmijës së tyre mund të shikojnë mesazhet e tyre dhe fushat ku ata kanë shprehur interes.
Sistemi bazohet në sinqeritetin e përdoruesve për moshën e tyre, edhe pse Instagram ka mjetet për të verifikuar moshën nëse ka dyshime se ata nuk thonë të vërtetën.
Nga janari në SHBA do të nisë përdorimi i inteligjencës artificiale për të zbuluar adoleshentët që përdorin llogari të rriturish, shoqëruar me masa penalizuese për shkelësit.
Meta dhe Instagram nuk janë platformat e para që prezantojnë keto mjete për prindërit pasi Snapchat e YouTube kanë kufizuar rekomandimet ndaj videove të stërvitjes apo makijazhit që bëjnë adoleshentët “të adhurojnë” tipe të ndryshme të trupit, shpeshherë të rreme ose abuzive.
Por rrjedhimisht prindërit nuk mund të kontrollojnë Instagram dhe algoritmin që shpërndan përmbajtjet për fëmijët e tyre.
Eksperti i rrjeteve sociale Paolo Pescatore tha: “Është një hap i rëndësishëm ndaj aksesit të fëmijëve në rrjetet sociale dhe botës së materializmit e lajmeve të rreme, pasi celulari ka hapur një masë të re dezinformacioni dhe përmbajtje të papërshtatshme që kanë ndryshuar sjelljen e të miturve. Më shumë duhet bërë për mirëqenien dixhitale të fëmijëve dhe kjo nis me kthimin e kontrollit për prindërit”./TopChannel