Dhjetëra persona janë plagosur në kryeqytetin Bejrut dhe në disa zona të tjera në Liban pas shpërthimit të pajisjeve të komunikimit ‘wireless’ të njohura si pejxher.
Agjencia shtetërore e lajmeve shpërthimin masiv e quajti një “incident të paprecedentë të sigurisë”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Raportet e mediave lokale thanë se pajisjet shpërthyen pas një shkeljeje izraelite të sistemit të komunikimit.
Ministria e Shëndetësisë, nga ana e saj, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që zotërojnë pajisje komunikimi ‘pejxher’ që t’i asgjësojnë ato menjëherë.
Kryqi i Kuq i Libanit tha se 50 ambulanca dhe 300 teknikë të urgjencës mjekësore janë në gatishmëri për të ndihmuar në evakuimin e viktimave pas shpërthimit masiv të pajisjeve ‘pejxher’.
Tensionet janë rritur përgjatë kufirit Liban-Izrael në mes të sulmeve ndërkufitare midis Hezbollahut dhe forcave izraelite derisa Tel Avivi po ecën përpara me një ofensivë kundër Gazës. Ofensiva ka vrarë të paktën 41.200 njerëz që nga tetori i kaluar pas një sulmi të Hamasit./TRT