Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka zbuluar propozimin për komisarët e caktuar për pesë vitet e ardhshëm.
Në një konferencë për media, shefja e organit drejtues të Bashkimit Evropian (BE) shpalosi propozimet për përbërjen dhe strukturën e re të Komisionit të BE-së pas disa javë kërkimi për të gjetur ekuilibrin gjinor.
Çdo komisar i propozuar, sipas vlerësimeve, duhet të miratohet nga Parlamenti i BE-së pas një seance pyetjesh përpara komisioneve parlamentare, një proces që mund të zgjasë deri në fund të muajit tetor.
Von der Leyen njoftoi se organi drejtues i ardhshëm i BE-së do të ketë katër gra dhe dy burra në mesin e zv/presidentëve ekzekutiv.
Ministri francez i Punëve të Jashtme në largim, Stephane Sejourne, i cili u caktua dje si kandidat nga Franca pas dorëheqjes së papritur të komisarit Thierry Breton, u propozua si zv/president ekzekutiv për prosperitetin dhe strategjinë industriale. Sejourne po ashtu u propozua për të trajtuar portofolin e industrisë, atë të Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) dhe Tregun e Vetëm.
Breton, komisari evropian i Francës për tregun e brendshëm, akuzoi shefen e Komisionit të BE-së se e minoi atë duke i kërkuar Francës që të tërheq emrin e tij për “arsye personale”. Ai tha se von der Leyen “si një shkëmbim politik kishte ofruar një portofol gjoja më me ndikim për Francën në kolegjiumin e ardhshëm”.
Ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, u caktua Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Teresa Ribera e Spanjës u caktua për t’u angazhuar në tranzicion të pastër, të drejtë dhe konkurrues, ndërsa Henna Virkkunen e Finlandëss u caktua për të trajtuar Sovranitetin Teknik, Sigurinë dhe Demokracinë.
Roxana Minzatu e Rumanisë do të jetë përgjegjëse për portofolin Njerëzit, Aftësitë dhe Gatishmëria. Raffaelo Fitto i Italisë, nga ana tjetër, u caktua për të trajtuar Kohezionin dhe Reformat.
Komisarët evropianë
Marta Kos, e cila është në pritje të miratimit nga parlamenti slloven për emërimin e saj, u caktua komisare përgjegjëse për zgjerimin.
Ministrja belge i Punëve të Jashtme, Hadja Lahbib, është kandidate për portofolin e përgatitjes dhe menaxhimit të krizave, si dhe për portofolin e barazisë.
Polaki Piotr Serafin do të jetë përgjegjës për buxhetin, ndërsa Magnus Brunner i Austrisë do të ketë portofolin e çështjeve të brendshme dhe migracionin.
Andrius Kubilius i Lituanisë u propozua për komisar për Mbrojtjen dhe Hapësirën.
Sipas planeve të von der Leyen, Dan Jorgensen i Danimarkës do të merret me Energjinë dhe Strehimin./aa