Këshilli i Ministrave vendosi sot për përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot në administrim të Forcave të Armatosura në mbështetje të institucioneve shtetërore.

Vendimi përcakton rregullat e bashkëpunimit të FA-së me institucionet përgjegjëse si ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë; ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike dhe institucionet në varësi; ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural; ministria e Turizmit dhe Mjedisit; Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile; Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore; Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor; Qendra e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Shërbimi i mjeteve ajrore pa pilot ofrohet ndaj institucioneve shtetërore, vetëm në rastet kur ky shërbim nuk mund të përfitohet në mënyra dhe mjete të tjera.

Vendimi parashikon se operimi i mjeteve dhe sistemit ajror pa pilot kryhet në çdo rast nga personeli i kualifikuar dhe i certifikuar në organikë të Forcës Ajrore ose strukturave të tjera të Forcave të Armatosura që kanë në dispozicion mjete ajrore pa pilot.

Institucionet shtetërore kanë të drejtë të përdorin imazhet filmike, fotografike dhe të dhënat e tjera të përftuara nga mjetet ajrore pa pilot, në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, për të përmbushur detyrimet, sipas fushës së përgjegjësisë së tyre shtetërore.

Po ashtu, imazhet filmike, fotografike dhe të dhënat e tjera të përftuara nga sistemi i mjeteve ajrore pa pilot shfaqen në një hapësirë të dedikuar komandim-kontrolli në një nga venddislokimet e Forcave të Armatosura, duke respektuar rregullat e informacionit të klasifikuar dhe të përdorimit të të dhënave personale.

Kur kërkohet njohja me informacion të klasifikuar, institucionet shtetërore kërkuese duhet të autorizojnë personel të pajisur me certifikatën e sigurisë, sipas nivelit të kërkuar, për të administruar dhe për të përdoruar të dhënat të përftuara nga sistemi i mjeteve ajrore pa pilot.

Strukturat përgjegjëse për administrimin e informacionit të përfituar nga mjetet ajrore pa pilot e vendosin në dispozicion këtë informacion vetëm me kërkesë të institucioneve shtetërore.

Vendimi parashikon se informacioni i përfituar nga mjetet ajrore pa pilot trajtohet nga të gjitha institucionet përfituese, sipas nivelit të klasifikimit të vendosur nga prodhuesi, sipas ligjit “Për informacionin e klasifikuar”.

Mjetet ajrore pa pilot të Forcave të Armatosura përdoren në mbështetje të institucioneve shtetërore për sigurimin e pamjeve filmike dhe fotografike me qëllim: mbikëqyrjen e territorit për të zbuluar dhe parandaluar aktivitete të paligjshme, si: kultivimi i bimëve narkotike, kontrabanda, emigracioni i paligjshëm, shkeljet territoriale, si dhe përdorimi i paautorizuar i burimeve ujore.

Po ashtu ato do të përdoren për monitorimin e kufijve; monitorimin e vijës bregdetare; mbështetjen në reagim të emergjencave civile në raste tërmetesh, uraganesh, përmbytjesh dhe zjarresh, duke ofruar vëzhgime ajrore për vlerësim paraprak të dëmeve; monitorimin e vatrave/zonave të zjarrit, për të gjurmuar përparimin e zjarrit dhe për të identifikuar pikat e nxehta; zhvillimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit (SAR) në gjetjen e të mbijetuarve, vlerësimin e dëmtimit të infrastrukturës dhe koordinimin e përpjekjeve të ndihmës.

Këto mjete do të bëjnë inspektimin vizual nga ajri të infrastrukturës kritike kombëtare dhe infrastrukturës kritike me efekt ndërkombëtar; si dhe fotografimin ajror të territorit me qëllim krijimin, administrimin, përpunimin dhe shpërndarjen e informacionit gjeohapësinor për institucionet publike.

Një tjetër aspekt i përdorimit të tyre është edhe monitorimi dhe inspektimi i situatës ndërtimore në të gjithë territorin, duke përfshirë zonat me rëndësi kombëtare, monumentet e kulturës, qendrat historike, parqet dhe zonat arkeologjike, zonat e mbrojtura natyrore dhe monumentet natyrore;  monitorimi iecurisë së projekteve strategjike në zhvillim;
monitorimi i terminaleve të shkarkimit dhe depozitimit të lëndëve hidrokarbure; monitorimi i burimeve natyrore në sektorin minerar dhe hidrokarbur./ata