Fluksi i lartë i kërkesës për akomodim përgjatë sezonit turistik, ka bërë që shqiptarët të “dynden” në blerje mobiliesh nga jashtë kufijve, për të ofruar sa më shumë komoditet për pushuesit vendas dhe turistët e huaj.

Kryesisht bëhet fjalë për investimet e bëra në mobilim nga strukturat hoteliere por edhe nga pronarët e apartamenteve që i nxjerrin në treg përmes platformave Booking dhe Airbnb, të cilët përpiqen t’i mobilojnë sa më mirë në mënyrë që të mund ti japin me qira të lartë ditore.

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave, tregojnë se shqiptarët kanë shpenzuar në mobileri, krevate, dyshekë dhe pajisje ndriçimi të importuara afro 9 miliardë lekë apo 90 milionë euro përgjatë periudhës Janar-Gusht 2024. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë janë shpenzuar afro 20 milionë euro më shumë, çka tregon edhe më shumë vëmendje në këtë drejtim.

Kjo rritje ka ardhur për shkak edhe se Shqipëria po ndjek shembullin e vendeve të tjera, duke kaluar nga dhënia e apartamenteve me qira mujore në qira ditore, por edhe nga shtimi i këtyre strukturave në vend, pasi agjencitë immobiliare raportojnë rritje të transaksioneve dhe kryesisht në zonat bregdetare.

Rekordi i importeve është arritur në muajin korrik, i cili përkon dhe me kulmin e sezonit turistik, me afro 1.5 miliardë lekë, duke u dyfishuar në raport me Korrikun 2023.

Në Shqipëri operojnë shumë dyqane që sjellin mobilie të gatshme nga jashtë kufijve, të  cilat konkurrojnë edhe në çmime me atë çka prodhohet në vend.

Në këto shpenzime nuk përfshihen investimet e bëra në këtë drejtim me mobile të prodhuara në Shqipëri./Scan