Dy italianë, administratorë të Universitetit Wisdom në Tiranë kanë përfunduar në pranga gjatë një operacioni të Guardia di Finanza në Itali, si arkitektë të një skeme mashtrimi me diplomat false ndërkohë që mediet raportuan se nga përgjimet rezulton se zyrtarë shqiptarë të akreditimit të universiteteve janë korruptuar.

Në lidhje me aludimet në media, reagoi sot ish-ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi e cila sqaroi paragrafin e dosjes ku thuhet se “Ia vlen të përmendim që në vazhdim të dhuratave Catalano Lucia e Cianci Savino përpiqen të përgatisin dhe të dhurojnë dhurata simbolike në kuadër të festës së Krishtlindjes (shporta) për ambasadorin, përfaqësues të ambasadës, ministre, zv. ministre, shefes së kabinetit, zyrës së matrikullimit dhe zyrës së akreditimit”.

Kushi u shpreh se në lidhje me disa abuzime të bëra nga disa medie mbi hetimet e dosjes italiane për mashtimet me diploma të Universitetit Wisdom ndan qëndrimin e saj me opinionin publik se Ministria e Arsimit dhe Sportit, si institucion dhe në rastin e saj si ish- drejtuese e këtij institucioni, MAS nuk është pjesë e procesit të akreditimit të universiteteve apo programeve të studimit në asnjë hap të procesit.

“Akreditimi i institucioneve arsimore bëhet nga një bord i pavarur ekspertësh, vendas dhe të huaj, të zgjedhur me një konkurs të hapur. Si titullare e këtij institucioni për periudhën shtator 2020 – shtator 2023, edhe pse ngrihen dyshime në media, nuk kam shkëmbyer asnjëherë dhurata kortezie për urime festimesh me simobolika të tilla”. theksoi Kushi./ata