Historia e një shtetasi nga ish-Jugosllavia, shqiptar i Kosovës, i cili tenton të hyjë në territorin shqiptar në vitin 1954 për strehim politik, fati i tij tragjik, dokumentimi i paplotë i ngjarjes nga ana e strukturave policore dhe gjyqësore, u referua nga Drejtori i Informacionit në AIDSSH, Selami Zalli, në studimin e tij, “Mbi disa forma dhe motivet e vrasjeve në kufi gjatë regjimit komunist dhe reagimin e strukturave përgjegjëse”, prezantuar në simpoziumin: “Nga e kaluara në përkujtim- Kufijtë e diktaturës 1944-1991″, mbajtur në 28 gusht 2024.

Mbrojtja e kufijve konsiderohej nga regjimi komunist po aq e domosdoshme sa shtypja e çdo forme të opozitës së brendshme që rrezikonte pushtetin komunist. Prandaj forcat e kufirit kanë pasur një rëndësi të jashtëzakonshme për ruajtjen e pushtetit nga kanosjet nga jashtë si dhe brenda vendit përgjatë gjithë regjimit komunist.

Historia e shtetasit, ende i paidentifikuar u gjet në një dosje hetimore- gjyqësore, e cila ka si objekt dënimin e një oficeri dhe dy ushtarëve të cilët derdhën në drejtim të tij 142 plumba edhe pasi ai deklaroi se “kërkonte strehim politik në Shqipëri dhe ishte i paarmatosur”.

Pas vdekjes trupi i të ndjerit, sipas deklarimeve qëllohet edhe me 24 plumba të tjerë. Nga ky akt kapteri gradohet oficer, ushtarët marrin leje të shkojnë në shtëpi, por ngjarja hetohet më vonë, oficeri dhe ushtarët dënohen.

Në dosje të dhënat për viktimën mungojnë, s’ka as ekspertizë trupi, as foto, as e ku gjendet, por prokurori ka bërë një shpjegim të gjatë për dëmin ekonomik të shkaktuar nga shkarkimi i 142 plumbave mbi trupin e tij, nga ana e rojeve të kufirit.

Qëllimi kësaj paraqitje është të sjellë në vëmendje disa fenomene e dukuri që kanë ndodhur dhe ka përjetuar shoqëria shqiptare gjatë izolimit dhe mbylljen e kufijve gjatë viteve 1944-1991, rolit të strukturave të Sigurimit të Shtetit me ndikim të gjerë në mentalitetin e policisë kufitare, që thyente edhe rregullat e vendosura nga strukturat përgjegjëse ose i keqpërdoronte ato për qëllime abuzuese.

Forcat e Kufirit ishin të ngarkuara me parandalimin e arratisjeve të shtetasve shqiptarë jashtë vendit (vepër për të cilën ekzekutoheshin) dhe të bllokonin çdo hyrje të shqiptarëve apo të huajve nga jashtë (në këtë rast emigrantët e paligjshëm rrezikonin gjithashtu dënimin me vdekje pasi konsideroheshin “diversantë”)./ata