Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i përfaqësuar nga Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi kanë dërguar në Kuvend një propozim të ri ligjor në mbrojtje të profesionistëve të lirë dhe shtresës së mesme.

Kjo nisëm ligjore synon rimbursimin e taksave të paguara padrejtësisht nga profesionistët e lirë.

“Ky është propozimi ligjor që, bashkë me z. Bardhi, po e dorëzojmë për rimbursimin e çdo qindarke të paguar nga profesionistët e lirë”, tha Tabaku.

Deputetja e PD kritikoi qeverinë për mosveprimin e saj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse një qytetar apo biznes do të ishte debitor ndaj qeverisë, ajo do të përdorte të gjithë forcën e shtetit për ta marrë borxhin. Sot, kur është radha e qeverisë t’u kthejë paratë qytetarëve, ajo heziton”, u shpreh ajo.

Gazmend Bardhi, në mbështetje të këtij propozimi, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së profesionistëve të lirë dhe shtresës së mesme si shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare.

“Ne jemi të vendosur të qëndrojmë në krah të tyre dhe të sigurojmë që drejtësia të vihet në vend”, deklaroi Bardhi.

Ai nënvizoi se, ky hap tregon angazhimin e Partisë Demokratike për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të promovuar politika që favorizojnë rritjen ekonomike dhe sociale të vendit.

Iniciativa është një tjetër premtim i mbajtur ndaj shtresës së mesme dhe dëshmi e vullnetit të opozitës për të qëndruar pranë tyre, shtoi ai./ata