Ish-kryeministri Sali Berisha, njëherësh kryetar i komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, ka humbur këtë të hënë apelimin e tij kundër ndalimit të hyrjes në Britani.

Sipas prestigjiozes britanike “Reuters”, “Berisha apeloi kundër vendimit në Komisionin Special të Apelimit të Emigracionit (SIAC) në Londër në muajin mars, me argumentin se ai është ndaluar për të hyrë në Mbretëri të Bashkuar në bazë të pretendimeve të rreme të paprovuara”.

“Sali Berishës, kreut të PD-së, partisë kryesore të opozitës në Shqipëri, i është ndaluar hyrja në Britani të Madhe në vitin 2022 për lidhje të tij të dyshuara me krimin e organizuar dhe korrupsionin, të cilin Berisha e mohon”, shkruan “Reuters”.

Më tej, “Reuters” thotë se apelimi i Berishës është hedhur poshtë me një vendim të dhënë me shkrim.

Në shkrim, theksohet se kryedemokrati është shpallur “non grata” dhe nga SHBA dhe po ashtu nuk lihet pa u përmendur dhe fakti që Berisha është në arrest shtëpiak për dosjen “Partizani”.

“E gjejmë të pavend aplikimin e formulës të imunitetit si ish-kreu i një shteti i aplikuar në këtë apel. Për këtë arsye dhe të tjera të trajtuara në sesionin e mbyllur kundërshtia e zotit Berisha për t’i ndaluar hyrjen në Britaninë e Madhe, rrëzohet”, thuhet në vendim.

“SIAC hodhi poshtë sfidën e Berishës në një vendim me shkrim të hënën. Vendimi i Britanisë për të ndaluar Berishën nga vendi erdhi 1 vit pasi ai u përjashtua nga Shtetet e Bashkuara pasi dyshohet se për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Berisha, 79 vjeç, përballet me akuza në Shqipëri se ka përdorur ndikimin e tij kur ishte kryeministër midis viteve 2005 dhe 2009 për të favorizuar bashkëshortin e vajzës së tij në privatizimin e tokës shtetërore, të cilat ai dhe vajza e tij e mohojnë”, shkruan “Reuters”./ata