Presidenti Bajram Begaj deklaroi sot se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një gur themeli dhe falë këtij partneriteti strategjik të qëndrueshëm e të fortë kemi sigurinë dhe besimin se Ballkani Perëndimor do të vazhdojë të jetë një rajon i paqes dhe stabilitetit.
Begaj iu drejtua me një fjalë konferences së 27-të e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA–Karta e Adriatikut (A-5), që po zhvillon punimet sot në Tiranë.
Gjatë fjalës përshëndetëse Presidenti Begaj u fokusua mbi rëndësinë e përpjekjeve të aleatëve për forcimin e bashkëpunimit, zgjerimin e NATO-s dhe rritjen e investimeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Duke iu referuar agresionit rus në Ukrainë, situatës së brishtë në rajonin tonë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, Presidenti i Republikës vlerësoi së është një moment tepër delikat për sigurinë botërore.
Në këtë kontekst, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e investimeve për sigurinë dhe krijimin e platformave tëndërveprimit për krijimin e kushteve për një mjedis më të sigurt e të qëndrueshëm.
Si Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Presidenti Begaj shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për zgjerimin e infrastrukturës në dispozicion të NATO-s, krahas vijimit të kontributit me trupa dhe kapacitete.
Kreu i Shtetit përmendi ofrimin e Porto Romanos si një mundësi tjetër për Aleancën, si edhe objektivin për rivitalizimin e industrisë në fushën e mbrojtjes.
Ndërsa rikonfirmoi qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë krah bllokut Euroatlantik, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me partnerët strategjikë dhe komunitetin e vlerave demokratike.
Sipas Kreut të Shtetit, përballë agresionit rus në Ukrainë dhe përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme kërkohet një qasje e bashkuar dhe një angazhim i përbashkët për t’i adresuar këto çështje madhore në mënyrë efikase e të qëndrueshme.
Për sa i përket sfidave të Ballkanit Perëndimor, Presidenti i Shqipërisë theksoi se “në dekadat e fundit, rajoni ynë mbetet i brishtë dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve të brendshme e të jashtme që mund të destabilizojnë paqen dhe stabilitetin e arritur”.
“Tensionet artificialisht të krijuara, qoftë të natyrës etnike dhe politike, ndërhyrjet e huaja nga aktorë të tretë dhe kërcënimet ndaj sigurisë kibernetike kërkojnë vëmendje të veçantë dhe bashkëpunim të thelluar ndër vete dhe me partnerët tanë. Historia nuk duhet harruar, ndryshe rrezikojmë të përsërisim gabimet”, – u shpreh Begaj në Konferencën e 27-të të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut.
Ndërsa konfirmoi rolin e qartë dhe konstruktiv të shqiptarëve në rajon, Presidenti i Shqipërisë theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në iniciativën SHBA – Karta e Adriatikut dhe në NATO, duke e cilësuar këtë proces thelbësor edhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti evidentoi si vlerë të shoqërisë shqiptare harmoninë dhe bashkëpunimin ndërfetar teksa theksoi shtrirjen e këtij modeli në të gjithërajonin për një ardhmëri më të mirë të brezave të rinj.
Duke iu referuar takimit të një dite më parë të mbajtur në Tiranë mes të rinjve të besimeve të ndryshme në kuadrin e nismës “MED 24”, si dhe mesazhit të Papa Françeskut, Presidenti i Republikës theksoi se të rinjve të rajonit tonë sot ne duhet t’iu dërgojmë mesazhin që vetëm duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, vetëm duke punuar përditë e më shumë për të forcuar sigurinë në rajonin tonë, ne do t’u lëmë atyre një të ardhme më të mirë, një vend ku ata meritojnë të jetojnë, të zhvillojnë jetën e tyre”. “Besoj se rinia e meriton këtë mesazh!”, – deklaroi Presidenti./ata