Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se grupi parlamentar i PD-së ka vendosur të bëjë gjithçka për të mos lejuar normalitet në seancën e nesërme plenare.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së grupit, Bardhi iu referua edhe akteve të dhunës në seancën e shkuar plenare, ndërsa tha se “pjesa dërrmuese e reagimeve të opozitës janë spontane, të diktuara nga sjelljet e mazhorancës”.

“Sa i takon seancës së nesërme, grupi parlamentar ka vendosur të bëjë gjithçka për të mos lejuar normalitet në seancën e nesërme. Strategjitë se çfarë do bëjmë do t’i mësoni aty, mos prisni detaje, pjesa dërrmuese e reagimeve tona janë spontante, të diktuara nga sjelljet e mazhorancës”, deklaroi Bardhi.

Po ashtu, Bardhi konfirmoi se opozita do të jetë e pranishme në mbledhjen e sotme të Sekretariatit të Etikës, ku do të shqyrtohet kërkesa e PS-së për përjashtimin e deputetëve demokratë që ushtruan akte dhune gjatë seancës plenare të së hënës.

“Të përjashtosh opozitën nga Kuvendi, të burgosësh opozitën për fjalën e lirë, të pengosh opozitën të kryejë funksionet e saj, të tentosh të asgjësosh opozitën është shpallje lufte ndaj PD-së dhe grupit të saj parlamentar”, tha Bardhi./ata