Komandanti i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (EUCOM) dhe Forcave Supreme Aleate për Europën (SACEUR), gjenerali Christopher G. Cavoli, deklaroi sot se konferenca e Kartës së Adriatikut synon të çojë përpara parimet dhe vlerat themelore të OKB-së.
Në fjalën e tij, në çelje të Konferences së 27-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA–Karta e Adriatikut (A-5), Cavoli falënderoi Presidentin e Republikës, Bajram Begaj për mikpritjen dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu për organizimin e kësaj konference.
Cavoli gjatë fjalës së tij, u shpreh se, “kjo është Konferenca e 27-të e Kartës së Adriatikut. Është një organizim shumë i mirë për ne që të kemi dialog dhe të përqendrohemi tek kjo pjesë kritike e Evropës. Kombet këtu janë të gjitha të angazhuara për të çuar përpara parimet e kartës së OKB-së dhe vlerave themelore, të cilat për ne janë shumë të shtrenjta”, tha Cavoli.
“Kjo konferencë është një themel dhe punë për ne që të shkojmë përpara për një të ardhme me prosperitet. Partneriteti ynë i vijueshëm dhe i vazhduar, jo vetëm me njëri-tjetrin, por ndër të gjithë ne mbështet këtë synim të përbashkët”, theksoi Cavoli.
Fokusi i kësaj konference do të jenë zhvillimet dhe dinamikat në mjedisin e sigurisë në rajon dhe më gjerë, rritja e shpenzimeve të Mbrojtjes mbi pragun 2% e Produktit të Brendshëm Bruto si një mënyrë për të përmbushur objektivat e kapaciteteve të Aleancës dhe objektivat e planifikimit dhe rishikimit të NATO-s për vendet partnere./ata