Avioni që transportonte ministren e Jashtme suedeze Maria Malmer Stenergard dhe ministrin e Drejtësisë Gunnar Strummer, në rrugë për në Ankara për një takim kyç, u kthye në aeroportin "Arlanda" të Stokholmit për shkak të një mosfunksionimi teknik, tha Ministria e Jashtme e Suedisë.
"Vendimi për t'u kthyer u përshkrua si masë paraprake dhe mosfunksionimi nuk përbënte ndonjë rrezik të menjëhershëm për pasagjerët ose ekuipazhin", tha zëdhënësi për media i Ministrisë së Jashtme, Richard Wahlstrom.
"Ishte një masë paraprake sigurie e marrë për shkak të mosfunksionimit teknik dhe nuk përbënte rrezik të menjëhershëm për pasagjerët apo ekuipazhin", tha Wahlstrom për Anadolu.
Ministrat do të merrnin pjesë në takimin e parë të Mekanizmit të Sigurisë midis Türkiyes dhe Suedisë në Ankara, ku do të zhvilloheshin diskutime të nivelit të lartë për bashkëpunimin kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Bisedimet do të kryesoheshin nga ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, së bashku me ministrin e brendshëm turk Ali Yerlikaya, me Stenergard dhe Strummer që do të përfaqësonin Suedinë.
"Tashmë kanë filluar përpjekjet për të caktuar një datë të re për takimin sa më shpejt të jetë e mundur", shtoi Wahlstrom, duke vënë në dukje rëndësinë e diskutimeve.
Ky takim ka një rëndësi të veçantë, pasi është i pari i këtij lloji, me fokus forcimin e bashkëpunimit institucional mes dy vendeve në fushën e antiterrorizmit./aa