Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja zhvilloi një takim me Raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos.

 

Në një postim në rrjete sociale, Manja bëri të ditur sot se, në fokus të bisedimeve ishin Reforma në Drejtësi, harta gjyqësore dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

 

“Ecuria e reformës në drejtësi, zbatimi i hartës së re gjyqësore dhe garantimi i aksesit të qytetarëve te drejtësia, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtja kibernetike dhe siguria e të dhënave personale, ishin disa nga pikat e diskutuara në këtë takim”, theksoi Manja.

 

“Ndamë qëndrimin e përbashkët se përmbushja si duhet e këtyre detyrave shkurton rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE”, shkroi Manja.

 

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos, ishte e pranishme dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian.