Zbardhen detaje të reja nga skandali i diplomave të kolegjit universitar “Wisdom”. Autoritetet italiane akuzojnë drejtuesit e “Wisdom” për lëshimin e diplomave të falsifikuara. Sipas hetimeve, “Wisdom” shiste diplomat deri 10 mijë euro, ndërsa joshnin zyrtarë të institucioneve shqiptare me dhurata luksoze.

Pas denoncimit të skandalit hetimet janë nisur edhe nga Prokuroria e Tiranës. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë mbi bazën e kallëzimit të shtetasit S.C në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Wisdom ” shpk ka regjistruar procedimin penal nr. 4148 të vitit 2024 për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shkollore” parashikuar nga neni 187/2 të Kodit
Penal.

“Çështja është në fazën e hetimeve dhe informacion më i detajuar në lidhje me veprimet hetimore në këtë fazë nuk mund t’u vihet në dispozicion për shkak të sekretit hetimor”, thekson Prokuroria e Tiranës.

Skema e skandalit të Wisdom u zbulua në Bari të Italisë, ku 9 persona u arrestuan me akuzat për mashtrime të rënda, falsifikim dokumentesh, korrupsion e pastrim parash. Numri i të dyshuarve arriti në 41, ndërsa nën hetim u vendos veprimtaria e 2 kompanive me seli në Romë dhe Foxhia.

Mes të arrestuarve ishte edhe pronari i Kolegjit Universitar ëisdom me qendër në Tiranë, Savino Cianci si dhe administratori Leonardo Catalano. Mediat italiane shkruajnë se të interesuarit që donin të punësoheshin në administratë, paguanin 8-10 mijë euro për të marrë një kualifikim për të hyrë në konkurse publike si dhe për të krijuar marrëdhënie pune, veçanërisht në sektorin e arsimit.

Dyshja Cianci-Catalano akuzohen gjithashtu se bënin dhurata ryshfet për zyrtarë të institucioneve shqiptare. Në një rast rezulton se ata kanë dhuruar një çantë me vlerë 1200 euro./BalkanWeb