Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Bruksel ka kërkuar që të hiqen masat e Bashkimit Evropian dhe Kosova të marrë statusin e vendit kandidat.

Kurti ka qenë pjesë e drekës së punës me liderët e Ballkanit Perëndimor, organizuar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Gjithashtu në fjalën e tij ai theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës.

Në këtë kontekst, Kurti ka bërë thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate, raporton Koha.

Në të njëjtën kohë, ai ka kërkuar  që masat restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta, të hiqen./GazetaShqiptare