Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se qytetarët shqiptarë edhe pse janë të fundit në botë sa i përket të ardhurave për frymë në Europë, renditen në vendin e shtatë në botë për çmimin më të shtrenjtë të naftës.
Sipas Bashës, në programin e Demokratëve Euroatlantikë është edhe angazhimit i kahershëm për heqjen e taksës, që rëndon me 240 lekë të vjetra për litër mbi çmimin e karburanteve.
“Të fundit në Europë për të ardhurat për frymë, të shtatët në botë për çmimin më të shtrenjtë të naftës. Ky është bilanci i një qeverie që nuk punon për qytetarët, por për veten dhe klientelën e saj”, shkruan Basha në një postim në rrjetet sociale.
“Çmimet që dëmtojnë konsumatorët dhe prodhimin janë pasojë e “taksës Rama” mbi karburantet, si dhe e kontrabandës, që lejohet për klientelën e kryeministrit, në kurriz të shqiptarëve”, u shpreh Basha.
Basha tha se “Shqipëria nuk meriton këtë tallje, shqiptarët meritojnë më shumë, prandaj në programin e Demokratëve Euroatlantikë ne i kemi qëndruar besnikë angazhimit tonë të kahershëm për heqjen e taksës Rama, që rëndon me 240 lekë të vjetra për litër mbi çmimin e karburanteve. Shqipëria meriton më shumë!”, përfundon postimin e tij, Basha./ata