Shkolla “Bajram Abdiu” në Bicaj të Kukësit është një tjetër portë e dijes që do të hapë dyert për nxënësit dhe mësuesit e kësaj zone.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo shkollë, ku falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe Bashkisë Kukës, nxënësit do të mësojnë me kushte dinjitoze.

Qeveria shqiptare përmes “MAS” po i jep një tjetër ritëm investimeve në institucionet arsimore të qarkut verilindor.

Këtë vit, përmes programit të rehabilitimit të shkollave dhe terreneve sportive të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, pushtetit vendor dhe Programit të Rindërtimit, përfundon ndërtimi dhe rehabilitimi i 100 objekteve arsimore në të gjithë vendin.

Për vitin 2024 janë 1.2 miliardë lekë të parashikuara nga qeveria shqiptare për rindërtimin, rikonstruksionin dhe rehabilitimin e shkollave në të gjithë vendin./ata