Mbi 35,000 nxënës të klasave të I, II dhe III do të përfshihen këtë vit në kurrikulën e re të kodimit.

Modeli i laboratorëve Smart është prezantuar së fundi në shkollën “Qazim Turdiu”, ndërsa  Ministria e Arsimit dhe Sportit parashikon zgjerimin e këtij projekti në periudhën 2025-2026

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga prezantimi i modelit të laboratorëve Smart, duke theksuar se janë instaluar 216 SmartLab-e në shkolla.

Rama bëri të ditur se synohet instalimi edhe i mbi 600 laboratorë te rinj në shkollat 9-vjeçare dhe në gjimnaze, duke u krijuar kushtet e duhura nxënësve për t’u pajisur me aftësi digjitale.

Ministria e Arsimit dhe Sportit është duke punuar për të riparë të gjithë kurrikulën e aftësimit digjital nga klasa e I deri në klasën e IX, dhe më tej në gjimnaz.

Autoritetet arsimore synojnë krijimin e mundësive që fëmijët të aftësohen për botën digjitale, duke kompletuar gjithë kurrikulën e TIK-ut dhe duke e integruar edhe në lëndë të tjera.

Po ashtu, nga muaji shtator do të nisë trajnimi i mësuesve, ku mësuesit e shkencave, mësuesit e TIK dhe mësuesit e ciklit fillor do të përfshihen në një cikël tjetër trajnimi intensiv, që do të vijojë edhe në 2025, me fokus trajnimin e 16 mijë mësuesve për të garantuar kështu rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe zhvillimin profesional të tyre./ata