Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se shkolla e re “Babë Dudë Karbunara” në Berat nuk është thjesht një vend ku ka disa klasa por është një qendër e re e dijes dhe një qendër e re komunitare për Beratin.
I pranishëm në ceremoninë e organizuar për përurimin e shkollës së rindërtuar “Babë Dudë Karbunara”, Rama tha se ” në këtë godinë janë të gjitha që nga ato që duhen për orët e mësimit deri tek ato që duhen për orët pas mësimit, klasat dhe muret me hije të rëndë të orëve të matematikës deri tek hapësirat për sport dhe kulturë”.
“Bindja ime është se ne e kemi energjinë, kemi kurajën, kemi eksperiencën, por mbi të gjitha kemi edhe dëshirën e jashtëzakonshme që duke i bërë gjërat më mirë, ta çojmë në një nivel tjetër jo vetëm arsimin, por Shqipërinë e cila në 2030-ën duhet të vendosë flamurin kuqezi të Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe flamurin për të cilin luftoi edhe Babë Dudë Karbunara dhe të gjithë patriotët e tjerë, aty në oborrin e familjes europiane, në të njëjtën radhë, në të njëjtën gjatësi shtize dhe me të njëjtat të drejta me flamujt e tjerë të shteteve anëtare të Bashkimit Europian”, tha Rama.
Dhe natyrisht, vijoi Rama, për të bërë këtë, na duhet që të kemi një Shqipëri ku funksionon ligji edhe drejtësia, ku ekonomia është gjithëpërfshirëse dhe ku të gjithë kanë pjesën e tyre në rritjen ekonomike, jo thjesht si kontribut, por edhe si përfitim, dhe ku arsimi, shëndetësia, shkenca janë të atilla në nivel ku nuk i ndan më një hendek aq i thellë dhe aq i errët sa ai që i ndante kur ne morëm këtë detyrë.
“Berati sot është krejt tjetër sepse edhe vetë opozita e përfaqësuar nga Dhori Kule nuk më kundërshton që Ervin Demo i ka dhënë Beratit një shtysë të re dhe ka sjellë për Beratin më shumë se sa është bërë në Berat për shumë kohë. Ervini është një djalë nga Berati që deri tani e ka ndjekur fati se ka kaluar nga dora përkudesja e Dhorit tek imja, ka marrë më të mirat nga opozita dhe nga pushteti por unë dua ta nënvizoj punën e Ervinit sepse kjo shkollë nuk do të ishte bërë dhe nuk do të ishte kaq mbresëlënëse në rast se nuk do të ishte vizioni dhe këmbëngulja e Ervinit për të marrë mbështetjen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe qeveria”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “në këto 11 vjet kanë ndërhyrë në infrastrukturën shkollore qoftë për ndërtime të reja qoftë për procese rikonstruksioni më shumë se sa është ndërhyrë jo në 23 vite përpara se ne të merrnim detyrën, por në afro 45 vjet”.
Investimi në shkollën “Babë Dudë Karbunara” ka shtuar hapësirat mësimore, duke përfshirë 26 klasa të reja, laboratorë për lëndët shkencore, bibliotekë, dhe një palestër moderne për aktivitetet sportive./ata