Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, po mbahet aksion me vullnetarë për pastrimin e hapësirave të ndotura nëpër lagje, breze rrugore, brigje, të liqeneve dhe lumenjve, parqe kombëtare dhe bjeshkë.

Në këtë aksion që pikë grumbullimi e pati sheshin "Zahir Pajaziti" në Prishtinë, përpos organizatorëve të "Let's do it Kosova", mori pjesë edhe ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav, si dhe ambasadorë dhe përfaqësues të vendeve të BE-së në Kosovë.

Bashkë me vullnetarët e rritur, në këto aksione u bashkuan edhe shumë fëmijë të shkollave fillore për të pastruar pjesë të qytetit, ndërsa vullnetarë për pastrim erdhën edhe pjesëtarë të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe pjesëtarë të Misionit të Sundimit të Ligjit të BE-së (EULEX).

Luan Hasanaj nga "Let's do it Kosova", tha se kjo ditë në Kosovë, ashtu sikurse në 198 shtete të botës po shënohet në mënyrën më të mirë të mundshme, me vullnetarë të cilët do të pastrojnë.

"Do t'ju bëja thirrje institucioneve, që të jenë më aktive, të merren më shumë me zbatimin e legjislacionit. Prona publike ka shumë nevojë për kujdes. Kemi shumë zona, siç janë Rugova, Brezovica, brigjet e liqeneve të cilat nuk kanë kujdes të mjaftueshëm për mirëmbajtjen e tyre, andaj janë shumë të ndotura. Ne sot do të jemi në disa prej këtyre zonave dhe shpresojmë që më tutje do të mirëmbahen", theksoi Hasanaj.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav tha se bashkë me kolegët diplomatë nga BE-ja do të pastrojnë sot disa rrugë në Prishtinë. "Kjo është për të treguar rëndësinë e pastrimit, sepse të gjithë ne duhet të kujdesemi për ambientin. Nuk do të thotë që ta bëjmë vetëm në një ditë në fushatë, por, duhet ta bëjmë në baza ditore", tha Orav.

Pas fjalëve të rastit, vullnetarët u shpërndanë në pesë lokacione të ndryshme për pastrimin e hapësirave të caktuara në rajonin e Prishtinës.

Dita Botërore e Pastrimit shënohet me aksione në shumë vende të botës, ku miliona njerëz bashkohen për të krijuar një mjedis me të pastër dhe të shëndetshëm si dhe për të ngritur vetëdijen mbi rëndësinë e pastërtisë së ambientit./aa