Në Kashmirin e administruar nga India sot po zhvillohet votimi për fazën e dytë të zgjedhjeve vendimtare të asamblesë të mbajtura për herë të parë pas vitit 2014.

Gjithsej 219 kandidatë ishin në garë për 24 zona elektorale në raundin e parë, përfshirë 16 në qarqet jugore të Kashmirit që deri vonë ishin qendra e një kryengritje të armatosur kundër Indisë.

Pothuajse 9 milionë votues janë regjistruar në të gjithë rajonin për të votuar për Asamblenë Legjislative të Xhamu dhe Kashmirit, të përbërë nga 90 anëtarë. Ulëset janë të shpërndarë midis dy zonave që përbëjnë territorin e bashkimit, 47 për Kashmirin dhe 43 për Xhamun.

Raundi i parë, sipas Komisionit Zgjedhor të Indisë, regjistroi një pjesëmarrje të lartë prej 61,1 për qind. Raundi final do të mbahet më 1 tetor, e ndjekur nga numërimi i votave dhe rezultatet të planifikuar për më 8 tetor.

Zgjedhjet kanë një rëndësi më të madhe pasi ato gjithashtu janë të parat që nga gushti i vitit 2019 kur India hoqi autonominë e posaçme të rajonit me shumicë muslimane.

Mbi 2,5 milionë votues kanë të drejtë të votojnë në raundin e dytë për gjithsej 26 ulëse në asamble, duke përfshirë tetë në kryeqytetin Srinagar. Ish-kryeministri Omar Abdullah po garon nga dy ulëse.

Në një deklaratë të shkurtër, kryeministri Narendra Modi u bëri thirrje votuesve që të japin votat e tyre dhe "të luajnë rolin e tyre të rëndësishëm në forcimin e demokracisë".

 

- Diplomatë të huaj vizitojnë Kashmirin

Një grup diplomatësh të huaj u dërguan në Srinagar për të vëzhguar procesin zgjedhor në vazhdim.

Burime në qeverinë e Indisë thanë se grupi i diplomatëve përfaqësojnë SHBA-në, Meksikën, Guajanën, Korenë e Jugut, Somalinë, Panamanë, Singaporin, Nigerinë, Spanjën, Afrikën e Jugut, Norvegjinë, Tanzaninë, Ruandën, Algjerinë dhe Filipine.

Udhëtimi tërhoqi një përgjigje të zemëruar nga ish-kryeministri Abdullah, i cili është nga radhët e partisë së Konferencës Kombëtare.

"Unë nuk e di pse duhet t’u kërkohet të huajve të kontrollojnë zgjedhjet këtu. Kur qeveritë e huaja komentojnë, atëherë qeveria e Indisë thotë 'kjo është një çështje e brendshme për Indinë' dhe tani papritmas ata duan që vëzhguesit e huaj të vijnë dhe të shikojnë zgjedhjet tona", u tha Abdullah gazetarëve në Srinagar.

Pas përfundimit të raundit të parë, Pakistani, rivali prej kohësh i Indisë, "kategorikisht" kundërshtoi zgjedhjet, duke pohuar se ato nuk zëvendësojnë të drejtën e popullit të Kashmirit për vetëvendosje.

Nga viti 2018 deri më 5 gusht të vitit 2019, New Delhi administroi rajonin drejtpërdrejtë nëpërmjet një guvernatori që zotëronte po aq autoritet sa një qeveri e zgjedhur.

Pastaj, ai u bë një territor i sunduar në mënyrë federale dhe që atëherë ka qenë nën një guvernator me më shumë kompetenca, gjë që e shtyu udhëheqësin më të lartë pro-lirisë të rajonit, Mirwaiz Umar Farooq, të vërejë se "votimet e humbën rëndësinë edhe para se të fillonin".

Votimi do të çojë në një tranzicion të kufizuar të pushtetit nga New Delhi në asamblenë lokale, pasi Xhamu dhe Kashmiri do të mbetet një territor bashkimi nën kontroll të drejtpërdrejtë federal dhe parlamenti indian do të jetë legjislatura e tij më e lartë./aa