Bordi i Akreditimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) reagoi lidhur me hetimet për diploma false, duke mohuar përfshirjen e Shqiponja Telhajt, e cila në dosjen e Guardia di Finanza thuhet se marrë një çantë “Luis Vuitton” 1200 euro nga pronarët italianë të kolegjit universitar Uisdom në Tiranë.

Në reagim thuhet se Shqiponja Telhaj e cila nga korriku 2021 ushtron detyrën e Kryetares së Bordit të Akreditimit jeton dhe zhvillon aktivitetin akademik në Mbretërinë e Bashkuar, dhe atje ka qenë në ditën kur është zhvilluar darka e pretenduar për dhurimin e çantës (në 8 mars të vitit 2022), me qëllim ryshfetin për akreditimin e kolegjit, siç citohet në dosjen italiane.

Reagimi

Republika e Shqipërisë

Bordi i Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë

20/09/2024

Deklaratë për Shtyp

Duke marrë shkas nga publikimet e fundit të pasakta në media lidhur me përfshirjen e gabuar të emrit të kryetares së Bordit të Akreditimit, Prof. Shqiponja Telhaj, në dosjen N.4682/21 R.G.N.R, N1239/22 R.G.G.I.P të Gjykatës së Tranit, dëshirojmë të sqarojmë si më poshtë:

Në përgjimet e publikuara të dosjes hetimore, personat e akuzuar shprehen se “kanë shkuar për darkë në datë 8 Mars 2022 dhe i kanë dhuruar një çantë Louis Vuitton Presidentes së ASCAL”. (faqe 217 e dosjes).

Së pari, Prof. Shqiponja Telhaj nuk ka ushtruar në asnjë moment detyrën e presidentes së Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), por ushtron nga korriku 2021 detyrën e Kryetares së Bordit të Akreditimit. Përgjimet i referohen “Presidente della ASCAL”, ndërsa në komentet e dosjes është vënë gabimisht emri (i përkthyer) i kryetares së bordit si drejtuese e institucionit të ASCAL.

Sqarojmë se në bazë të nenit 15 të Ligjit për Arsimin e Lartë, Bordi i Akreditimit është organ kolegjial vendimmarrës dhe i pavarur në veprimtarinë e tij, i ngritur pranë ASCAL. ASCAL drejtohet nga një Drejtor, ndërsa Bordi i Akredimit nga Kryetari i Bordit të Akreditimit. Prof. Shqiponja Telhaj ka mbajtur dhe mban vetëm detyrën e Kryetares së Bordit të Akreditimit.

Së dyti, kryetarja e Bordit të Akreditimit, Prof. Telhaj jeton dhe zhvillon aktivitetin e saj akademik në Mbretërinë e Bashkuar, dhe deklaron se ka qenë ne Mbretërinë e Bashkuar edhe në ditën kur është zhvilluar darka e pretenduar. Këto fakte janë lehtësisht të verifikueshme nëpërmjet sistemit TIMS. Ndërkohë që Prof. Telhaj do ta ndjekë çështjen edhe ligjerisht për të kërkuar tërheqje dhe kërkim falje për akuzat e rreme, anëtaret e bordit dëshirojnë të ritheksojnë besimin e tyre të plotë në integritetin e saj në drejtimin e bordit.

Së treti, Bordi i Akreditimit i drejtuar nga Prof. Telhaj deri më sot nuk ka marrë asnjë vendim për akreditimin institucional të institucionit në fjalë.

Së katërti, e gjithë vendimmarrja e Bordit lidhur me akreditimet mbështetet në raportet e hartuara nga ekspertët që përcaktohen nga ASCAL dhe dokumentacionet e dorëzuara nga institucionet.

Së fundmi, incidente të tilla ndikojnë në reputacionin dhe integritetin e të gjithë bordit. Duke i bërë thirrje të gjitha autoriteteve përkatëse që të hetojnë çështjen dhe të korrigjojnë gabimet në dosje, Bordi i Akreditimit shpreh indinjatën e tij të thellë për njollosjen e emrit dhe reputacionit të Prof. Telhaj për shkak të mungesës së verifikimit të duhur të fakteve nga institucionet italiane dhe mediat shqiptare.

Anëtarët e Bordit te Akreditimit:

Prof. Iraj Hashi MBE - University of Staffordshire, Angli

Prof. Indrit Hoxha – Pennsylvania State University, Amerike

Dr. Tomasz Jelenski - Cracoë University of Technology, Poloni

Alexander Kohler - Ministry of Education & National Quality Assurance Council, Austri

Prof. Dritan Nace - University of Technology of Compiègne, France

Dr. Maurice Oudejans - University of Amsterdam, Hollande

Ass. Prof. Darinka Piqani – University of Leiden, Hollande

Assoc. Prof. Kita Sallabanda – University Complutense of Madrid, Spanje

Prof. Aysen Savas Sargin - Middle East Technical University, Turqi

Prof. Shqiponja Telhaj–University of Sussex & CEP-London School of Economics, Angli

Prof. Lea Ypi – London School of Economics – Angli 

/Shqiptarja