Në Trieste, Itali u zhvillua më 18 -19 shtator takimi i tretë i Komitetit Drejtues për projektin “RenewPort”, si dhe takimi hapës i projektit “Adrirec”.

Në këto dy takime morën pjesë të gjithë partnerët e të dy projekteve, ku Autoriteti Portual Durrës u përfaqësua nga 4 anëtarët teknikë të grupit të punës, Vegim Hoti, Rafaelo Rexho,  Julian Xhelilaj dhe Ardit Omeri.

Një ndër pikat e agjendave të takimeve ishte edhe prezantimi i planeve të investimit të Portit të Durrësit, të cilat kanë të bëjnë me instalimin e paneleve fotovoltaike për gjenerimin e energjisë së rinovueshme.

RENEWPORT financuar nga Interreg Euro Med Programme ka si objektiv kryesor lehtësimin e tranzicionit energjetik të porteve në rajonin e Mesdheut nëpërmjet shfrytëzimit të mundësive të reja për prodhimin e energjisë dhe uljen e dekabornizimit.

Porti i Durrësit në këtë projekt parashikon një plan investimi në funksion të implementimit të sistemit të paneleve fotovoltaike në tarracat e ndërtesave administrative me një sipërfaqe totale prej 2,141 m2.

Projekti ADRIREC, financuar nga Interreg IPA Adrion Programme ka të bëjë me shfrytëzimin e potencialit të energjisë së rinovueshme. investimet në këtë drejtim do të reduktojnë kostot e faturimit nga Distributori Kombëtar i Energjisë, si dhe do të reduktojë ndikimin mjedisor të përdorimit të energjisë nga burimet fosile.

APD në këtë projekt ka planifikuar investimin në panele fotovoltaike, të cilat do të implementohen në tarracat e godinave administrative nëpërmjet projektit Renewport, si dhe nëpërmjet projektit Adrirec parashikon të investojë në panele fotovoltaike në hapësira të pjesshme të parkimit të APD-së./ata