Mediat ndërkombëtare vijojnë t’i japin jehonë turizmit në Shqipëri. Ndonëse vera përfundoi, interesi për të vizituar Shqipërinë sa vjen e rritet.

Hulumtimi i ri nga Dubai Tours & Tickets, shkruan Express, zbuloi se Shqipëria e Europës Juglindore është ndër destinacionet më të kërkuara për udhëtarët në Mbretërinë e Bashkuar.

Ekspertët e udhëtimeve analizuan të dhënat e kërkimit në Google të britanikëve për 250 vende gjatë 12 muajve të fundit. Ata përdorën shtatë terma të njohur kërkimi, duke përfshirë “pushime”, “fluturime” dhe “udhëtime” për të zbuluar se ku po mendojnë të nisen njerëzit nga Mbretëria e Bashkuar.

Shqipëria grumbullon mesatarisht 54,929 kërkime mujore. “Holiday Albania” përbën mesatarisht 37,583 nga këto kërkime mujore, duke “parakaluar” Spanjën, Portugalinë dhe Islandën.Por, lidhur me arsyet pse britanikët duan të vizitojnë Shqipërinë, Express shkruan se janë shumë.

Artikulli iu referohet çmimeve, atraksioneve të shumta dhe aktiviteteve që turistët gjejnë në vendin tonë, si dhe klima apo dashamirësia e shqiptarëve.

“Nuk është e çuditshme që Shqipëria po përjeton një rritje të popullaritetit.

Një birrë kushton rreth 1,07 deri në 2,10 £ dhe një kafe afërsisht 1,50 £, ndërsa produktet ushqimore janë rreth 40 për qind më të lira se në Mbretërinë e Bashkuar.”, shkruhet në artikull. “Fluturimet për në Shqipëri nisen çdo ditë nga aeroportet kryesore në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe me parajsën vetëm tre orë larg fluturimit, pse të mos e vendosni në listën tuaj? Ka shumë për të parë dhe bërë, në varësi të asaj që ju pëlqen”, vijon më tej artikulli.

Edhe në këtë artikull, vëmendje të veçantë gjen vija bregdetare, kryesisht Ksamili.

“Më tej përgjatë rivierës shqiptare, Ksamili i bukur po shkakton bujë në mesin e influencuesve, ku shumë e quajnë Maldiven e Europës për shkak të popullaritetit në rritje në mediat sociale, kështu që futuni shpejt nëse dëshironi ta vizitoni përpara se të bëhet po aq popullor sa Maldivet”, thotë shkrimi.

Magdalena Petrusic nga Dubai Tours & Tickets tha se fuqia e mediave sociale ka të ngjarë t’i ekspozojë britanikët në disa destinacione që nuk do t’i kishin menduar kurrë, të cilat jo domosdoshmërisht janë të kushtueshme.

“Kjo mund të shihet me popullaritetin e Shqipërisë, e cila nga rrjetet sociale është cilësuar si Maldivet e Evropës”, përfundon artikulli./vizionplus.tv