Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për 28-vjeçarin Endri Beqiraj, të arrestuar më 14 mars në fshatin Ramicë të bashkisë së Selenicës pasi së bashku me një tjetër shtetas të identifikuar dhe shpallur në kërkim, Julo Rrokaj, 25 vjeç sipas policisë së Vlorës kanë goditur me armë kundrejt 46-vjeçarit Gëzim Lekaj, bari për t’i marrë këtij të fundit lekët.

 

 

Policia pas telefonatës së këtij shtetasi ka ndërhyrë në kohë duke parandaluar një ngjarje kriminale, teksa në komunikatën e saj për media tregon se këta dy shtetas kanë pasur për qëllim vrasjen e Gëzim Lekës.

 

 

Seanca gjyqësore drejtohej nga gjyqtarja Emirjana Dimo e cila ka pranuar kërkesën e prokurorisë për arrest me burg. E njëjta masë është dhënë në mungesë edhe për Julo Rrokaj të përfshirë në këtë ngjarje i cili vazhdon ende të jetë në kërkim.

 

Dy të rinjtë kanë kërcënuar me jetë bariun se në rast se nuk do paguante një shumë prej 100.000 eurosh do e vrisnin. Por pas denoncimit të bariut, policia ka ndërhyrë duke arrestuar 28-vjeçarin Beqiraj.