Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se brenda këtij viti do të hapet për qarkullim aksi i rëndësishëm nevralgjik Thumanë-Hani i Hotit, për të cilin informoi edhe se thuajse 70 % e punimeve janë realizuar.

Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes dyditore të fillimvitit për prioritetet e 2024-ës, që u mbajt në Lezhë, Rama po ashtu informoi se tashmë ka një qartësi edhe për ecurinë e procesit për të filluar edhe ndërtimin e aksit Milot-Thumanë.

“Edhe ky aks është nevralgjik, pasi e dimë shumë mirë se sa shumë vështirësohet lëvizja sidomos përgjatë sezonit veror drejtuar jugut apo Tiranës”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri shprehu besimin se do të procedohet para sezonit veror edhe me nënshkrimin e kontratave për aksin Kashar-Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Lekaj.

“Përfundimi i këtyre akseve do të çojë në përfundimin e boshtit të Korridorit. Ndërkohë që po punohet për fazën e parë të procesit, konkretisht projektin për segmentin Milot-Muriqan”, deklaroi Rama./ata