Banka e Shqipërisë paralajmëroi këtë muaj për rreziqe të shtuara nga rritja e shpejtë e kreditimit të ekonomisë. Shqetësimet lidhen sidomos me rritjen e shpejtë të kredisë në pasuri të paluajtshme, ndërkohë që po vërehet edhe një rritje e oreksit për rrezik dhe e ekspozimeve të mëdha në segmentin e korporatave.

Në Deklaratën e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit, Banka e Shqipërisë nënvizoi për herë të parë, në mënyrë eksplicite, shqetësimin se kreditimi i ekonomisë këtë vit po rritet shumë shpejt dhe se është e nevojshme që ritmi i rritjes të ngadalësohet.

Kjo rritje mund të shpjegohet me disa faktorë thelbësorë, si në krahun e kërkesës, ashtu edhe të ofertës. Inflacioni gjatë këtij viti ka pësuar rënie të ndjeshme dhe prej muajsh qëndron poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Ky zhvillim duket se ka përmirësuar besimin e sektorit privat të ekonomisë dhe ka shmangur rrezikun e rritjes së mëtejshme të normave të interesit, madje ka krijuar pritshmëri në kahun e kundërt, për uljen e tyre. Vendimi i Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë në nivelin 3%, në muajin korrik, i ka konfirmuar këto pritshmëri.

Ecuria e sektorëve të veçantë të ekonomisë, si ata të lidhur me turizmin dhe pasuritë e paluajtshme, vazhdon të ngjallë optimizëm dhe projekte të reja investimi nga bizneset.

Nga ana tjetër, gatishmëria e sektorit bankar për të dhënë kredi duket e lartë, e mbështetur nga gjendja e mirë e bilanceve dhe përmirësimi i performancës financiare.

Rritja e oreksit për rrezik dëshmohet edhe nga shtimi i ekspozimeve të mëdha në projekte dhe klientë të veçantë të segmentit të korporatave. Ndërkohë, edhe ekspozimi nëpërmjet kreditimit në sektorin e pasurive të paluajtshme vazhdon të rritet, si te familjet, ashtu edhe bizneset.

Megjithatë, kjo rritje e shpejtë ka ngjallur fillimisht shqetësimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili që në janar të këtij viti paralajmëroi Bankën e Shqipërisë për rreziqet e rritjes së shpejtë të kredisë, sidomos në segmentin e pasurive të paluajtshme.

Banka e Shqipërisë reagoi në fund të muajit qershor, duke rritur më tej kërkesat për nivelin e mjaftueshmërisë së kapitalit, nëpërmjet aplikimit për herë të parë të një norme kundërciklike, që ka si qëllim direkt frenimin e rritjes së shpejtë të kreditimit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 7-mujorin e parë të vitit, kredia e re është rritur me ritme të larta dhe qëndron në nivelin më të lartë për të paktën në nëntë vitet e fundit. Në periudhën janar-korrik janë dhënë gjithsej 211 miliardë lekë kredi të reja, me një rritje prej 30% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e shpejtë e kredisë këtë vit po mbështetet sidomos nga biznesi. Kompanitë private përfituan gjithsej 149.5 miliardë lekë kredi, me një rritje prej 44.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Edhe kredia e re për individët në korrik vijoi rritjen e qëndrueshme duke arritur vlerën e 61.3 miliardë lekëve, në rritje me 18% krahasuar me një vit më parë. Kreditimi i individëve vazhdon të mbështetet sidomos te financimi i blerjeve të pasurive të paluajtshme.

Në fund të muajit korrik, edhe portofoli total i kredisë për ekonominë, shprehur si tepricë, vijoi rritjen. Ai arriti vlerën e 798.3 miliardë lekëve, 13.3% më shumë krahasuar me një vit më parë. Rritja vazhdon të jetë më e lartë në segmentin e individëve, ku portofoli ka arritur vlerën e 309 miliardë lekëve, në rritje me 13.6% krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa në segmentin e biznesit, vlera e portofolit të kredisë arriti në 447.5 miliardë lekë, në rritje me 12.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e kredisë arrin nivelin më të lartë që prej vitit 2008

Sektori bankar shqiptar e ka të freskët përvojën e një cikli të shpejtë të rritjes së kreditimit, që u pasua nga një rritje e fortë e kredive me probleme.

Pas privatizimit të Bankës së Kursimeve dhe hyrjes në treg të Raiffeisen Bank, ekonomia shqiptare hyri në ciklin e parë të një rritjeje shumë të shpejtë të kredisë. Kredia mori një hov shumë të shpejtë në vitin 2005, me një rritje vjetore prej 73%.

Normat e larta të rritjes vazhduan të ishin shumë të larta deri në vitin 2008, me pothuajse 35%, ndërsa vitet në vijim u ngadalësuan, por duke ngelur gjithmonë në territor të rritjes pozitive, deri në vitin 2013. Ky moment përkoi me thellimin e krizës së kredive me probleme, që në vitin 2014 do të arrinin deri në nivelin e 25%.

Në periudhën 2013-2018, portofoli i kredisë lëvizi mes rënies dhe stanjacionit, ndërsa një cikël i ri rritjeje të mirëfilltë nisi vetëm në vitin 2019, edhe në vijim të ndryshimeve strukturore dhe konsolidimit të sektorit bankar.

Pavarësisht rimëkëmbjes, rritja e kredisë asnjëherë nuk arriti nivele dyshifrore, edhe për shkak të frenimit që solli pandemia, për shkak të krizës inflacioniste dhe rritjes së normave të interesit në vitin 2022, por edhe efektit negativ statistikor të mbiçmimit të Lekut në kursin e këmbimit.

Por, këtë vit, kreditimi ka marrë hov të shpejtë dhe ka prekur nivele dyshifrore. Në fund të muajit korrik, rritja vjetore e portofolit të kredisë arriti në 13.3%. Kjo është norma më e lartë e rritjes së kredisë që prej vitit 2008.

Për momentin, rritja e kredisë ngelet sidoqoftë shumë larg niveleve të viteve 2005-2008 (në intervalin 35-73%), megjithatë duhet thënë se rritja e asaj periudhe nisi nga një bazë mjaft e ulët.

Kredia për prona përbën pothuajse gjysmën e kredisë për ekonominë

Megjithatë, nëse analizojmë segmentin e kredisë që për momentin krijon shqetësimet kryesore për Bankën e Shqipërisë, atë për pasuri të paluajtshme, rritja është shumë më e lartë.

Ekspozimi i sektorit bankar në kredi për pasuri të paluajtshme ka arritur në 371 miliardë lekë, ose afërsisht 3.7 miliardë euro. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera totale e kredisë për pasuri të paluajtshme (vlerë nominale, e parregulluar për ndryshimet e kursit) është në rritje vjetore me 33%. Kjo shifër përfshin të dyja segmentet e klientëve, biznese dhe individë.

Pjesa më e madhe e portofolit u takon individëve, me afërsisht 53% të ekspozimit total në hua për pasuri të paluajtshme, ndërsa diferenca prej 47% është kredi e dhënë për bizneset.

Megjithatë, rritja e shpejtë e madhësisë së portofolit së fundmi i detyrohet sidomos biznesit. Për 12 muajt e fundit, portofoli i kredisë për pasuri të paluajtshme të biznesit është rritur me 60%, ndërsa në segmentin e individëve, me 16% Aktualisht, kredia për pasuri të paluajtshme e individëve dhe bizneseve përbën rreth 49% të portofolit total të kredisë së dhënë për sektorin privat të ekonomisë.

Në vitet e fundit, sektori bankar ka rritur ndjeshëm portofolin e kredisë për prona, si për bizneset, ashtu edhe për individët. Vlerësohet se kreditimi ka qenë faktor shumë i rëndësishëm në mbështetjen e kërkesës në tregun e pasurive të paluajtshme. Por, nga ana tjetër, kjo ka rritur edhe ekspozimin e sektorit bankar kundrejt ecurisë së tregut të pasurive të paluajtshme.

Në shumicën dërrmuese të rasteve, kreditë për pasuri të paluajtshme janë të siguruara me prona të lëna si kolateral në favor të bankave (në rastin më tipik, vetë prona e blerë me kredi). Një krizë e mundshme në tregun e pasurive të paluajtshme do të ulte vlerën e kolateralit dhe do të ekspozonte bankat ndaj rreziqeve për humbje nga kreditë.

Në tetor të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë miratoi rregulloren “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi kredidhënien dhe investimet për prona të paluajtshme”.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo rregullore formalizon, standardizon si dhe zgjeron të dhënat që mblidhen nga bankat dhe subjektet kredidhënëse lidhur me treguesit e standardeve që ato përdorin për ekspozimin ndaj pronave të paluajtshme rezidenciale dhe tregtare.

Gjithashtu, rregullorja ofron mundësinë që Banka e Shqipërisë të përdorë këta tregues si instrumente të politikës makroprudenciale, kur është e nevojshme për të zbutur rreziqet që shoqërojnë këto ekspozime nëse vlerësohen në nivele të larta.

Në rastin e huave për pasuri të paluajtshme rezidenciale, subjektet huadhënës duhet të sigurojnë detajimet dhe klasifikimet e nevojshme të të dhënave për çdo hua të tillë, në mënyrë që të identifikojnë dhe të monitorojnë treguesit e ekspozimit të tyre, ndaj tregut të pasurive të paluajtshme rezidenciale.

Bankat po “flirtojnë” përsëri me korporatat

Në rast se huadhënia për pasuritë e paluajtshme duket të jetë segmenti më “i mbinxehur” i huadhënies, një tjetër tregues i faktit se sektori bankar po shfaq një oreks në rritje për rrezik është rritja e financimeve në segmentin e korporatave.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia për biznesin e madh në fund të muajit korrik arriti vlerën e 234.6 miliardë lekëve, në rritje me 21.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo normë rritje është dukshëm më e lartë krahasuar me rritjen mesatare të portofolit të kredisë për ekonominë (13.3%) dhe me rritjen mesatare të portofolit të biznesit (12.8%).

Të dhënat e detajuara tregojnë se norma më e lartë e rritjes së kredisë për biznesin e madh regjistrohet në segmentin e kredive afatgjata, që zakonisht kanë si qëllim financimin e projekteve të reja të investimit. Kredia afatgjatë në fund të korrikut rezultonte në rritje vjetore me më shumë se 34%.

Rritja e kredisë për korporatat përfshin edhe ekspozime në vlera mjaft të mëdha te huamarrës të veçantë, që në disa raste po jepen në bashkëpunim mes bankave, duke përdorur instrumentin e kredive sindikale.

Këtë verë, katër banka tregtare shqiptare kanë firmosur me me kompaninë Ayen AS Energji kontratën me kredinë më të madhe sindikale në historinë e sektorit bankar shqiptar.

Raiffeisen Bank (banka udhëheqëse e sindikatës), Banka OTP Albania, Banka Intesa Sanpaolo Shqipëri dhe Tirana Bank do të disbursojnë një kredi në vlerën e 110 milionë eurove në favor të kompanisë koncesionare të sektorit energjetik. Qëllimi i kredisë do të jetë rifinancimi i një kredie ekzistuese që kompania në fjalë ka marrë nga banka turke Türkiye İş Bankasi (İş Bank).

Banka Intesa Sanpaolo gjithashtu ka vendosur të financojë e vetme një kredi prej 26 milionë eurosh për grupin BALFIN, me qëllim ndërtimin e Mgallery Hotel në Palasë. Projekti do të mbështetet megjithatë edhe nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që ka marrë përsipër ndarjen e rrezikut me bankën huadhënëse, deri në 50% të shumës së investimit.

Vitin e kaluar, Banka Amerikane e Investimeve, Tirana Bank dhe Union Bank miratuan një linjë kredie të përbashkët me shoqërinë Dragobia Energy, në pronësi të Gener 2, subjekti kontraktor për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar. Kredia kishte fillimisht vlerën e 26 milionë eurove, ndërsa në mars të këtij viti, palët nënshkruan edhe një shtesë prej 4 milionë eurosh në kontratën e huasë.

Dragobia Energy do t’i përdorë fondet e kredisë si borxh për aksionerin e vet, me qëllim financimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.

Në vitin 2021, Intesa Sanpaolo Bank Albania, OTP Albania dhe Tirana Bank financuan me një kredi të përbashkët prej 26 milionë eurosh shoqërinë koncesionare “Orikum-Llogora”.

Edhe në rastin kur kreditë shërbejnë për të financuar projekte të Partneritetit Publik-Privat (PPP-ve), qeveria shqiptare nuk ofron garanci sovrane, ndaj bankat duhet ta marrin vetë përsipër rrezikun e kredisë.

Kreditë për biznesin dhe në veçanti ekspozimet e mëdha në segmentin e korporatave dhanë ndikimin kryesor në krizën e kredive me probleme, që kulmoi në vitin 2015. Edhe për këtë arsye, në dekadën e fundit, bankat janë përpjekur të ulin gradualisht ekspozimet e mëdha, duke e vënë fokusin në rritjen e kreditimit në segmentin me pakicë.

Megjithatë, në dy vitet e fundit po vërehet një tendencë në rritje për të marrë përsipër ekspozime në vlera të mëdha te klientët korporativë.

Raporti i kredive me probleme, i qëndrueshëm

Deri tani, raporti i kredive me probleme paraqitet i qëndrueshëm. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në muajin korrik, ky tregues pësoi rënie shumë të lehtë në 4.72%, pothuajse në të njëjtin nivel me fundin e vitit 2023, por gjithsesi në rënie krahasuar me nivelin 5.28% të një viti më parë.

Megjithatë, fakti që raporti i kredive me probleme është i qëndrueshëm, pavarësisht rritjes së shpejtë të portofolit të kredisë, është një tregues se sasia e kredive me probleme po rritet në vlerë absolute.

Në fund të muajit korrik, portofoli total i kredisë për ekonominë, arriti vlerën e 798.3 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 13.3%.

Mbi këtë vlerë, totali i kredive me probleme vlerësohet në afërsisht 37.7 miliardë lekë, nga rreth 35 miliardë lekë që kishte qenë në fund të vitit 2023.

Raporti i kredive me probleme ngelet aktualisht pranë niveleve më të ulëta që prej vitit 2008.

Mosrënia e mëtejshme e raportit të kredive me probleme, pavarësisht rritjes së shpejtë të madhësisë së portofolit, mund të jetë një sinjal që dikton nevojën për kujdes të shtuar në kredidhënie.

Që vitin e kaluar, raporti i kredive me probleme ka dhënë sinjale rritëse në segmentin e kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga individët.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, raporti i kredive me probleme për këtë produkt në fund të vitit 2023 u rrit në 3.2%, nga rreth 2% që kishte qenë në mesin e vitit dhe 2.3% që kishte qenë një vit më parë.

Kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme, kryesisht banesave, nga individët ngelet ende ndër produktet me performancën më të mirë cilësore për sektorin bankar.

Megjithatë, rritja e raportit të kredive me probleme mund të jetë një sinjal paralajmërues, duke pasur parasysh ritmet mjaft të larta të kreditimit në këtë segment të tregut gjatë viteve të fundit.

Banka e Shqipërisë vendos për herë të parë shtesën kundërciklike të kapitalit

Në fund të muajit qershor, Banka e Shqipërisë vendosi të aplikojë për herë të parë një shtesë kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar.

Sipas vendimit të Guvernatorit, Gent Sejko, norma e shtesës kundërciklike të kapitalit (KUNC) për Shqipërinë do të jetë 0.25 pikë përqind, nga zero që parashikohej në vendimin e mëparshëm. Të gjitha bankat tregtare në Shqipëri duhet ta plotësojnë këtë shtesë pas një viti, duke filluar nga data 30 qershor 2025.

Aplikimi i një shtese kundërciklike të kapitalit është i parashikuar në rregulloren e vitit 2018 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit. Një shtesë e tillë ka si qëllim ngadalësimin e kreditimit, në rast se banka qendrore vlerëson se ai po rritet me ritme tepër të shpejta.

Treguesi parësor në vlerësimin e Bankës së Shqipërisë lidhur me ritmet e kreditimit të ekonomisë dhe vendimmarrjen për nevojën e mundshme për shtesa kundërciklike të kapitalit është raporti mes rritjes së kreditimit dhe rritjes ekonomike.

Raporti i mësipërm tregon devijimin e vlerës së raportit të kredisë për ekonominë ndaj PBB-së nga prirja e tij afatgjatë dhe është indikatori kryesor që sinjalizon mundësinë e rritjes së tepërt të kreditimit në raport me Prodhimin Kombëtar.

Ky prag do të kalohej nëse devijimi i raportit të kredisë ndaj PBB-së me mesataren afatgjatë do të ishte pozitiv me më shumë se 2.1 pikë përqindje.

Sipas arsyetimit të vendimit të Guvernatorit, vlerat e treguesit parësor kanë vijuar të jenë negative deri në tremujorin I 2024, por madhësia e vlerës negative është zvogëluar.

Hendeku i raportit të kredisë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ishte -7.2 pikë përqindje, nga -7.84 pikë përqindje që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm.

Por, si plotësues të këtij treguesi parësor në vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë, shërbejnë disa elemente të tjera, të grupuara te treguesi i paralajmërimit të hershëm (TPHP) dhe që sinjalizojnë zhvillimet në kreditim dhe në aktivet jofinanciare, konkretisht tregun e pasurive të paluajtshme.

Banka e Shqipërisë vëren se, prej disa tremujorësh, ekonomia shqiptare po përjeton një cikël financiar pozitiv të mbështetur mbi rritjen e përshpejtuar të kredisë bankare.

Nëse analizohet ecuria e kredisë që jepet për bizneset, për zhvillim dhe investime në pasuritë e paluajtshme (rezidenciale dhe tregtare), e korrigjuar për efektin e kursit të këmbimit, normat

vjetore të rritjes deri në mars 2024, kanë qenë mbi 30% në secilin rast.

Më tej, nëse agregohen kreditë e dhëna për individët dhe për bizneset, për pasuritë e paluajtshme (rezidenciale dhe tregtare), norma e rritjes vjetore e këtij portofoli shënon 25% (nga 21% sipas raportimit në vlerë nominale).

Kjo normë rritjeje është dukshëm më e lartë se norma e rritjes vjetore për të gjithë portofolin e kredisë prej 10% (7% sipas raportimit në vlerë nominale), duke evidentuar përshpejtimin e kreditimit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, periudha të tilla shoqërohen me nivele të mira të performancës financiare për agjentët e ekonomisë reale dhe për sistemin financiar.

“Megjithatë, këto periudha shoqërohen edhe me fillimin e rreziqeve të caktuara, që mund të lidhen me rënie të standardeve të kreditimit, rritjen e niveleve të përqendrimit të saj në sektorë apo tregje të caktuara, rritjen e niveleve të borxhit për agjentët e ekonomisë reale përtej niveleve të shëndetshme etj.

Këto situata, nëse lejohet të zhvillohen, mund ta bëjnë ekonominë dhe sistemin financiar më të ndjeshëm ndaj goditjeve të ndryshme, duke cenuar kështu stabilitetin financiar.

Për këto arsye, në këto raste sugjerohet përdorimi i instrumenteve makroprudenciale që zbusin ecurinë e ciklit financiar (veprojnë në mënyrë kundërciklike) dhe parandalojnë zhvillimin e pakontrolluar të këtyre rreziqeve.

Në rastin tonë, zhvillimet pozitive në ciklin financiar reflektohen më mirë nga ecuria e vlerave të Treguesit të Paralajmërimit të Hershëm Plotësues (TPHP). Mbështetur në vlerat e këtij indeksi përgjatë disa tremujorëve, përdorimi i KUNC sugjerohet nga metodologjia ‘Për përcaktimin e shtesës kundërciklike të kapitalit’”, – thuhet në argumentin e vendimit të bankës së Shqipërisë.

Më tej, banka qendrore shton se, nëse ritmet e kreditimit do të mbeten të larta, mund të priten rritje të tjera të normës së shtesës kundërciklike në periudhat e ardhshme.

Në fillim të këtij viti, ishte Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) që i sugjeroi Bankës së Shqipërisë vendosjen e një shtese kundërciklike kapitali për sektorin bankar. Në deklaratën e Bordit Ekzekutiv të FMN për Shqipërinë, thuhej se vendosja e një shtese kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat tregtare mund të merret në konsideratë në afatin e mesëm, për të forcuar më tej stabilitetin financiar.

Sugjerimet për aplikimin e një norme kundërciklike nga FMN duket se mbështeten pikërisht te treguesit e paralajmërimit të hershëm dhe kryesisht te zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të kredisë së dhënë nga bankat për financimin e blerjes së tyre.

Rregullat e reja kanë shëndoshur kapitalizimin e bankave

Pas krizës financiare që nisi në vitin 2008, rregullatorët e tregjeve bankare nisën një fushatë shtrëngimesh të kërkesave rregullatore, me qëllim që kriza të tjera të mundshme në të ardhmen ta gjenin sektorin bankar më solid dhe më të përgatitur.

Banka e Shqipërisë u tregua e shpejtë për të adoptuar kërkesat e reja rregullatore që u vendosën në Bashkimin Europian, të lidhura kryesisht me shtesat e reja makroprudenciale të kapitalit dhe me kuadrin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka.

Kjo ka bërë që kërkesat minimale për mjaftueshmërinë e kapitalit të rriten ndjeshëm, duke i bërë në teori sot bankat më të afta për t’u rezistuar goditjeve dhe humbjeve të mundshme nga përkeqësimi i cilësisë së aktiveve.

Në vitin 2019, u miratua rregullorja për shtesat makroprudenciale, që u shtohen kërkesave rregullatore bazë të kapitalizimit të bankave, që përcaktohen në rregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”. Nga 12% që është kufiri minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit, me shtesën konservuese prej 2.5%, ky kufi ka arritur në 14.5%.

Me miratimin e shtesës së re kundërciklike, niveli minimal i treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit vitin e ardhshëm do të arrijë në 14.75%.

Ndërkohë, kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të klasifikuara me rëndësi sistemike – Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Credins, Banka Raiffeisen dhe Banka OTP Albania.

Aktualisht, BKT ka një kërkesë shtesë në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit prej 1.5%, që bashkë me shtesën konservuese prej 2.5% e çon raportin total të mjaftueshmërisë së kapitalit në 16%, Credins dhe Raiffeisen janë të detyruara të plotësojnë një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit 1% më të lartë se bankat e tjera (në total 15.5%), ndërsa OTP 0.5% më shumë se bankat e tjera (në total 15%).

Gjithashtu, bankat me rëndësi sistemike, si dhe Banka Intesa Sanpaolo që nga 1 janari 2024 duhet të plotësojnë edhe shtesën e parë të kërkuar të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit që lidhet me kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL).

Këto banka duhet të përmbushin një shtesë prej 1.5% në raportin e përgjithshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit. Për të përmbushur kërkesat e reja, disa prej këtyre bankave do të përdorin instrumente të huamarrjes që njihen si pjesë e kapitalit rregullator.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se treguesi mesatar i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar në mesin e vitit 2024 arriti në 19.3%, nga 19% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e fitimeve po ushqen optimizmin e bankave

Një faktor që shpjegon rritjen e ofertës për kredi dhe të oreksit për rrezik nga sistemi bankar është edhe rritja e performancës financiare të sektorit në vitet e fundit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, vitin e kaluar, fitimi i përbashkët i bankave tregtare me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) arriti në 27.9 miliardë lekë, më i larti i regjistruar ndonjëherë. Fitimi i sistemit u rrit me 17% krahasuar me vitin 2022.

Kthimi nga kapitali aksioner u rrit në 22.17%, nga 14.23% që kishte qenë një vit më parë.

Rritja e fitimeve të sektorit bankar erdhi sidomos nga rritja e normave të interesit në valutë të huaj dhe nga ulja e shpenzimeve për provigjione, falë rënies së mëtejshme të raportit të kredive me probleme.

Fitimet e sektorit bankar po vazhdojnë të rriten edhe këtë vit. Të dhënat paraprake të 6-mujorit, gjithmonë sipas standardeve IFRS, tregojnë një fitim neto në vlerën e 19.3 miliardë lekëve, në rritje me 31% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar.

Kthimi mesatar nga kapitali në nivel sektori ka arritur në 20.38%, nga 16.89% që kishte qenë në mesin e vitit të kaluar. Fitimet kanë dhënë kontributin kryesor në rritjen e kapitalit aksioner dhe treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit në vitet e fundit./Monitor.al