Gjatë një takimi të zhvilluar me sipërmarrësit privatë lidhur me rritjen e pagave, kryeministri Edi Rama tha se duhet të marrë fund koha kur sipërmarrjet private shfrytëzojnë punonjësit.
Rama tha se duhet mbyllur faza e shfrytëzimit të punonjësve, në të kundërt sipërmarrjet duhet të marrin parasysh rrezikun e të mbeturit pa forca punëtore.
“Sipërmarrja të rrojë duke mbështetur punonjësit që edhe atë të rrojnë, epoka e shfrytëzimit të punës, të burimeve që punojnë, prodhojnë punë, që japin punë duhet të mbyllet. Ne do të zhvillojmë këtë dialog si një proces kundër shfrytëzimit të forcave të punës, marrëdhëniet kapitaliste në Shqipëri për shumë vite kanë qenë të bazuara të shfrytëzimi, si edhe tek fitime të padeklaruara. Kjo fazë është duke u mbyllur dhe çështja është si do të mbyllet. Zgjedhja që duhet të bëjë sipërmarrja në Shqipëri, është si do mbyllet duke e përplasur sipërmarrja në tokë dhe duke e lënë pa burime njerëzore, apo do mbyllet duke u bërë sipërmarrja e vetëdijshëm se duhet të krijojë një marrëdhënie të re me forcat punëtore”, tha Rama.