“4 vjet mundësi patëm edhe ngado që shikoni, e shikoni që e shfrytëzuam këtë mundësi vetëm për të bërë mirë për Kamzën, nuk kemi parë as të majtë e as të djathtë, as demokratë e as socialistë, asgjë se të gjitha këto vlejnë për t’u ulur në tavolinë për të bërë debat”, theksoi sot Kryeministri Edi Rama.

 

Në takimin me banorë të Kamzës në vijim të rrugëtimit të gjelbër drejt zgjedhjeve të 14 majit, Rama tha se “më tregoni një qytet, një. Ju vini nga gjithë qytetet e Shqipërisë. Ju vini këtu por keni atje akoma njerëz, po shkoni atje për arsye të ndryshme. Ju i keni parë 30 vjet qytetet e Shqipërisë si kanë ndryshuar, si kanë ecur, si s’kanë ecur. Më tregoni një qytet, më tregoni një komunë, më tregoni një fshat kur e kishin në dorë veshgjatët”.

 

“Pa kollonë fare, pa kurriz, vetëm veshë të gjata edhe ku nuk shkuan gjërat vetëm poshtë, vetëm për prapa, se nuk dinë. E dëgjuat këtë figurën? Se këta të bëjnë edhe me vdek fare, nga e qeshura, kuptohet. Do hapim sheshin Skënderbej tha, do bëhet me nënkalime. Pse? Sepse këta dinë vetëm të hapin gropa. Këta, një gropë nuk dinë çfarë të bëjnë kur e hapin. Një. Këta hapin vetëm gropa. Kush shkon pas tyre shkon vetëm pas gropave dhe me këtë rast, besoj që ata që janë demokratë por kanë mendjen në vend, se janë plot me mendjen në vend, besoj që e kanë kuptuar që janë të gjitha të pavërteta të gjitha ato poshtërsitë, “Edi Rama nuk ju do, Edi Rama s’e do Kamzën, Edi Rama kështu”, sepse kaq mundësi, kaq. 4 vjet s’janë asgjë në një vend ku janë hapur gropa 30 vjet. Këto nuk vlejnë kur duhet të ngarkosh gomarin. Kuptojeni mirë këtë gjë. Nuk ka të majtë e të djathtë kur shkon në punë”, nënvizoi Rama.

 

Rama u shpreh se “tek grupi i mjekëve që më operuan mua kishte socialistë e demokratë, madje demokratë të flaktë. Po ishin bashkë se më bënë operacionin. Ju kur çoni fëmijët tek mësuesi i anglishtes, nuk i thoni “a je i majtë ti, komunist, apo je i joni ti?. Po i thoni, “a ma mëson anglisht”? Dhe në qoftëse mësuesi i anglishtes është i majtë, e çoni tek mësuesi i anglishtes, nuk e çoni për të mësuar anglisht te mësuesi i arabishtes, apo jo? Kur thërrisni hidraulikun i thoni je i majtë ti? Apo merrni pastaj ndonjë karrocier për t’ju rregulluar çezmën që është i djathtë. Këto janë muhabete tavoline. Këto janë luftëra idesh, jo të djathtët kështu, të majtët…, nuk ka rëndësi, janë ide, janë vizione, janë programe, po këtu nuk është fjala as për vizione, as për programe, as për gjë nga këto. Këtu është fjala kujt “gomari’’ do t’ia ngarkoni drutë”.

 

“Tani po ju them, për mua është hall, jo për ju, ta vendosë Rakipin prapë për mua është hall se më çmend, “duhet kjo, duhet ajo, kryeministër hajde bëj këtë, hajde këtu, o kryeministër…’’, po fjala ime e fundit. E para po ia dhatë Rakipit votën edhe 4 vjet të tjera, unë iu them do bëjmë për Kamzën, 4 herë më shumë se këto 4 vite. Po nuk ia dhatë Rakipit, do më kujtoni, po do jetë vonë e do thoni na erdhi ai “gomari i gjatë’’ na i tha të gjitha, por ne nuk e morëm shumë seriozisht. Tani, Profeti, paqja e Zotit qoftë mbi të, thotë: Edhe sikur dita e kiametit të të gjejë me një pemë në dorë, mos ik pa e mbjellë”.