Monika Kryemadhi është thirrur ditën e sotme në SPAK për kallëzimin penal që ka dorëzuar në 4 Mars të vitit 2021 përsa i përket inceneratorit të Sharrës.

 

Pasi ka dalë nga SPAK, Kryemadhi ka dhënë një deklaratë për mediat ku ka thënë se është thirrur në SPAK si personi që ka dijeni për shkak të padisë që ka depozituar.

Kryemadhi ka deklaruar se shpreson që më e pakta që mund të bëhet është ndalimi i pagesave për inceneratorin e  Tiranës, teksa tha se hetimi ka disa etapa për të cilat u shpreh se do të vazhdojë të dorëzojë dokumente të tjera.

Në fund të komunikimit me gazetarët, u pyet se ka besim tek drejtësia, pyetje të cilës ajo iu përgjigj me fjalët: Unë me thënë të drejtën kam besim vetëm në Zot, tani kjo punë kështu ka mbetur në dorë të Zotit.

Monika Kryemadhi: Isha në SPAK për kallëzimin penal që unë e kam dorëzuar në 4 Mars të vitit 2021. Gjërat po zbardhen çdo ditë e më shumë. Shpresoj që më e pakta që duhet të bëhet është ndalimi i pagesave për inceneratorin e Tiranës. Duke pasur parasysh që çdo ditë paguhen 29 Euro për ton. Edhe pse është vendosur dhe është thënë për marrjen e bonusit të 8-pikëshit të kompanisë offshore të “Integreted” që nuk do të kishte mbështetje buxhetore, por në fakt ka mbështetje financiare, atë që e quajmë pagesa të disponibilitetit.

Nga ana tjetër, shtova dhe do të vazhdoj të dorëzoj dokumentet të tjera përsa i përket rihapjes së vend-depozitimit të vjetër të landfillit të Sharrës duke pasur parasysh që në bazë të kontratës, vend-depozitimi i vjetër i Sharrës, pra skena e krimit që të gjithë e njohin si vendi ku ka vdekur Ardit Gjoklaj, duhet të ishte mbyllur brenda 22 mujave duke u mbështetur në standardet e BE-së.

Për të vazhduar pastaj me mashtrimin dhe gënjeshtrën që është bërë në Komisionin Hetimor duke gënjyer në rastin që aty mbetjet diferencohen, përpunohen, riciklohen dhe digjen. Në rastin tim, kam kërkuar vetëm diferencim dhe riciklim, i cili nuk ndodh, por vetëm groposen. Duke pasur parasysh dhe landillin e ri, ndërkohë që në Korrik të 2022, kjo gropë e cila duhet të ishte mbushur për 30 vjet, është mbushur për 9 muaj.

Ajo që ne kemi parë, ka vazhduar të vërë në lëvizje. Është një punë e gjatë dhe e vështirë, kërkon angazhim dhe seriozitet. Di dhe që ndërhyrjet e mëdha që bëhen nga qeveria por edhe nga institucione të caktuara sepse janë pgaesa shumë të mëdha për një kompani offshorë. Besoj se gjërat do të realizohen. Momentet e fundit janë duke ardhur dhe shpresoj që drejtësia të triumfojë për qytetarët shqiptarë të cilët paguajnë çdo ditë me paratë e tyre një kompani inekzistente, por që vetëm grabit çdo ditë.

Pyetje: A shkëmbyet informacion me SPAK se në çfarë faze janë hetimet për zyrtarë të tjerë të lartë?

Monika Kryemadhi: Unë vazhdova me faktet e mia. Inceneratori i Tiranës, një nga problemet ligjore që ka, ka të bëjnë me rastin e mbështetjes financiare që i është dhënë një projekti, veprimi që ka ndodhur që ditën e parë. Nuk është rasti si në kontratën e Fierit dhe Elbasanit, kontrata që kanë mbaruar. Ne edhe sot që flasim vazhdojmë dhe paguajmë para për inceneratorin e Tiranës edhe pse nuk ka incenerator, edhe pse nuk riciklohen, edhe pse nuk diferencohen. Cili është roli i Ahmetajt, Agaçit apo Veliajt e kam bërë të qartë dhe vazhdoj ta them. Ky i Tiranës sot vazhdon të jetë skenë krimi. Mendoj që do të bashkangjis dhe video dhe materiale të tjera që kanë të bëjnë me inceneratorin e Tiranës.

Pyetje: A keni dorëzuar prova të tjera që provojnë këtë që deklaroni?

Monika Kryemadhi: U pyeta dhe për evazionin fiskal, të cilin e kam bërë prezent në 4 Korrik që ka të bëjë përsa i përket mashtrimit që është bërë jo vetëm me faturat hetimore, por edhe për fshehjen e hetimit.

Pyetje: Sot ju ishit si e thirrur nga SPAK apo erdhët vetë për të shtuar prova?

Monika Kryemadhi: E thirrur nga SPAK si personi në dijeni për shkak të padisë që kam depozituar.

Pyetje: Mund ta dimë se për çfarë dokumentesh bëhet fjalë?

Monika Kryemadhi: Prisni se ka etapa të tjera, ka fakte të tjera që nga 2017 e deri më sot arroganca ka bërë që të bëhen gabime dhe të paguajnë para për punë të pakryera. Patjetër që do t’i bëjmë publike.

Pyetje: A keni besim tek drejtësia?

 

Monika Kryemadhi: Unë me thënë të drejtën kam besim vetëm në Zot, tani kjo punë kështu ka mbetur në dorë të Zotit.