Kreu i diplomacisë evropiane Josep Borrell do të organizojë një drekë pune me liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën në Nju Jork. Ky takim është pjesë e një tradite të përvitshme, ku gjashtë liderët nga rajoni takohen për të diskutuar mbi zhvillimet dhe përparimin në agjendën e reformave të tyre.

Lajmi është bërë i ditur sot nga Komisioni Evropian, sipas të cilit takimi do të mbahet në kuadër të aktiviteteve gjatë sesionit të 79 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sesioni i OKB-së do të ndiqet nga një delegacion i nivelit të lartë të BE-së, duke përfshirë Borrell dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ky pritet të jetë takimi i fundit si kryediplomat i Josep Borrel, pasi këtë post do ta marrë Kaja Kallas. “Fokusi i BE-së do të jetë trajtimi i konflikteve dhe krizave në të gjithë botën”, thuhet në njoftim.

Edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të enjten u takua në Bruksel me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për një drekë pune, me të cilët diskutoi për zgjerimin dhe për një plan në lidhje me rritjen ekonomike.

Në një shkrim në X pas takimit, Von der Leyen tha se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në Bashkim Evropian. Ajo tha se gjithë blloku është duke punuar për këtë proces. “Ne jemi duke i sjellë ekonomitë dhe tregjet e tyre më afër nesh me Planin tonë të Rritjes prej 6 miliardë eurosh për rajonin”, shkroi kreu i Komisionit Evropian./Scan