Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu thekson se regjistrimet në shkollat profesionale janë rritur ndjeshëm, ndërsa zhvillimi i praktikës profesionale nga nxënësit në qendra të specializuara është një mundësi e shkëlqyer për ta.
Koçiu ndau në rrjetet sociale rastin e Fatjonës, nxënëse e shkollës së mesme profesionale “Kristo Isak” në Berat.
Ajo ndjek studimet në degën e shërbimit social dhe shëndetësor, e profilizuar në kujdesin ndaj fëmijëve dhe ka zgjedhur të zhvillojë praktikën në Qendrën Sociale “Lira”, e cila ofron kujdes rezidencial dhe ditor për 57 fëmijë dhe adoleshentë.
Ministrja Koçiu theksoi se për vitin shkollor 2024-2025, në arsimin profesional është arritur një rekord regjistrimesh në klasën e 10-të, një rritje prej 10% krahasuar me vitin e kaluar.
Qendra Sociale “Lira” ofron shërbime të ndryshme si shërbime rezidenciale dhe shërbime ditore.
Drejtuesja e kësaj qendre bëri të ditur se “në shërbimin rezidencial marrin pjesë 18 rezidentë të cilët janë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë”.
“Në shërbimin ditor ka aktualisht 57 fëmijë dhe adoleshentë që marrin terapitë individuale pranë qendrës. Terapitë janë nga më të ndryshmet si në logopedi, terapi zhvillimi, fizioterapi dhe terapi në grup për fëmijë të vegjël”, u shpreh ajo./ata