Të paktën 51 punëtorë kanë humbur jetën nga shpërthimi në një minierë qymyri në Iranin verilindor, njoftoi media lokale.

Shpërthimi është shkaktuar nga një çlirim i shpejtë i metanit dhe monoksidit të karbonit të shtunën mbrëma në dy blloqe në minierën në Tabas në provincën Khorasan, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

Autoritetet lokale thanë se rreth 70 punëtorë ndodheshin në minierë në momentin e shpërthimit.

Autoritetet iraniane përmendën vështirësi në kryerjen e një operacioni të shpejtë shpëtimi për shkak të kushteve nëntokësore.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka urdhëruar një hetim mbi shpërthimin.

Shpërthimi i minierës shton një histori shqetësuese të aksidenteve minerare në Iran, ku rregulloret e sigurisë shpesh neglizhohen./aa