Në fshatin Drashovicë të Vlorës u përkujtua dje 81-vjetori i Betejës së Drashovicës, një nga ngjarjet më epokale të krahinës së Labërisë në ditët e luftës nacionalçlirimtare.

Këtë vit kremtimi i kësaj beteje, e cila mbetet nga më të mëdhatë e kohës së luftës u trajtua edhe si një kthim në traditë kur e gjithë krahina e priste festën një natë më parë në rrepet e njohura të Drashovicës, ndërkohë që këtë vit u kthye në një aktivitet të madh kulturor në mjediset e këtij fshati, dekoruar me titullin “Nderi i Kombit”.

Pranë Monumentit të Drashovicës, simboli më i ndritur i kësaj beteje heroike si dhe Luftës së Vlorës 104 vjet më parë, u vendosën kurora me lule nga pjesëtarë dhe pasardhës të familjeve të dëshmorëve si edhe banorë të Drashovicës, Lumit të Vlorës e Labërisë.

Në ceremoni ishin të pranishëm dhe vendosën kurora me lule edhe kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, kryetari i bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj e Ermal Dredha, prefekti i Vlorës Kristaq Kiço, deputetët Vullnet Sinaj e Pranvera Resuli, kryetari i Qarkut Ervis Moçka, përfaqësuesit e Komitetit të Veteranëve të LANÇ, familjeve të Dëshmorëve e të tjerë.

Fjalën e rastit e mbajti kryetari i bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj si dhe përshëndetën të pranishmit deputeti i zonës, Vullnet Sinaj e sekretari i komitetit të Vetëranëve, Muharrem Kuko.

Për të pranishmit Banda Frymore e bashkisë së Vlorës dhe grupet polifonike të Drashovicës, Kotës, Lapardhasë e Bënçës dhanë një koncert me marshe partizane e këngë labe të zgjedhura.

Lufta e Drashovicës përbën njëkohësisht edhe betejën e parë frontale të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe forcave vullnetare territoriale, kundër pushtuesve gjermane.

Beteja e Drashovicës apo siç njihet Lufta e Drashovicës është përplasja e parë frontale kundër pushtuesit nazifashistë. Ngjarja u zhvillua nga data 15 shtator deri më 4 tetor 1943. Beteja u organizua nga Shtabi i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër./ata