Apeli i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, i cili ndodhet në hetim për koncesionet në shëndetësi. Rrjepaj kërkoi zbutje të masës së sigurisë, por apeli i GJKKO-së e rrëzoi atë.

Kërkesa e tij u rrëzua nga gjyqtari Florjan Kalaja.

Klodian Rrjepaj u vendos në pranga në datë 17 gusht të vitit 2023 me urdhër të SPAK, për llogari të hetimeve që nisi kjo strukturë për “Sterilizimin”.

Ky i fundit dyshohet se ka kryer veprat penale ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’. Bashkë me të u arrestua edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili akuzohet për “Mashtrim”.

Organi akuzues kërkoi “arrest në shtëpi” për Marsela Sejrana dhe për Saimir Kadiun, ndërsa masë më lehtësuese u caktua ndaj Arben Gjata, Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petri Mersini.

Disa muaj me vonë, Prokuroria e Posaçme caktoi “detyrim paraqitje” edhe për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili ndodhet në burg për dosjen “SASPAC”./GazetaShqiptare