Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë prokuroren në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, Flora Çela.

Trupi gjykues ishte i përbërë nga Lulzim Hamitaj kryesues, Brunilda Bekteshi relatore dhe Etleda Çiftja anëtare.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shqyrtoi të gjithë dokumentacionin e dërguar nga institucionet e vlerësimit për subjektin e rivlerësimit, Flora Çela si dhe zhvilloi një procedurë të thellë hetimi administrative.

Vendimi u mor pas përfundimit me sukses të trajnimit njëvjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës.

Prokurorja Çela u pezullua nga detyra më 17 tetor 2023, pasi u konstatuan mangësi në kriterin profesional, por që u vlerësuan se mund të plotësoheshin duke ndjekur rishtazi programin e trajnimit pranë Shkollës së Magjistraturës.

Gjatë shpalljes së vendimit të hënën, kryesuesi i trupës gjykuese, Lulzim Hamitaj lexoi raportin e Shkollës së Magjistraturës, sipas të cilit subjekti ka arritur rezultate të mira duke i tejkaluar mangësitë profesionale. Për rrjedhojë u vendos konfirmimi i saj në detyrë.

Flora Çela përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe punon prej asaj kohe si prokurore në Prokurorinë e Vlorës./ata